Zjarrfikësit kanë gjetur trupin e një holandezi 85-vjeçar në shtëpinë e tij në një fshat francez, gjashtë muaj pasi ai vdiq.
Sipas mediave të huaja, nuk ka ndonjë dyshim rreth asaj se si ka ardhur te vdekja e tij.
Ndërkohë gazeta lokale La Montagne tha se burri jetonte i vetmuar në një apartament me qira mbi zyrën e kryetarit në Chéniers, një komunë me më pak se 600 banorë në departamentin qendror të Creuse.
Zjarrfikësit gjetën trupin e tij në banesë më 12 janar.
Siç thuhet më tej, gjendja e banesës së tij tregoi se ai mund të ketë vuajtur nga sindroma Diogenes, një çrregullim i sjelljes që çon në “rrëmujë dhe kushte josanitare”, tha gazeta.
Kryebashkiaku Gilles Gaudon tha se burri rrallë dilte jashtë dhe mendohej se ishte larguar nga familja e tij.
“Ne e shihnim atë herë pas here duke kërkuar disa gjëra në dyqan ushqimor, por kjo është e gjitha”, tha ai.
Gaudon tha se nuk kishte shenja, të tilla si një erë e keqe, se burri kishte vdekur.
Zjarrfikësit ishin thirrur në banesë një vit më parë për të kontrolluar mirëqenien e tij. Me atë rast e gjetën të ulur në divan duke parë televizor.
Kryebashkiaku tha se i kërkoi shërbimit zjarrfikës që të kontrollonte periodikisht njerëzit që ishin vetëm dhe të pambrojtur.
“Kur e dimë se njerëzit nuk kanë lidhje, ne jemi më të shqetësuar”, citohet të ketë thënë ai.