Qeveria turke do që deri në fillim të vjeshtës të vaksinojë 60% të popullsisë kundër virusit korona. Por shumë nga 83 milionë banorët e Turqisë jetojnë në zona rurale dhe disa madje në vende pothuajse të paarritshme.
Zejnep Eralp dhe ekipi i saj po ngjiten në një terren të vështirë për të vaksinuar banorët e fshatit Altindere kundër COVID-19. Fshati gjendet rreth 2,000 metra metra mbi nivelin e detit, në malet e Turqisë lindore.
Vaksinimi i banorëve që jetojnë në fshatra të largëta është i rëndësishëm, sepse “njerëzit në fshatra jetojnë pranë njëri-tjetrit dhe nëse dikush këtu ka infeksion, ai do të përhapet shumë shpejt.” – thotë mjekja Zenepe Eralp, që është përgjegjëse për misionin e vaksinimit.
“Shumë banorëve nuk u pëlqen të shkojnë në spital në qytetet përreth. Pra duhet të vijmë ne tek ata.” – shton mjekja.
Disa banorë janë skeptikë për vizitën e mjekëve. “Këtu te ne ka muaj që nuk ka pasur raste me Covid-19.” – thonë disa.
Para ca kohësh edhe Ali Kezeri gati i nxori mjekët jashtë. Por tani ai po merr dozën e dytë të vaksinës. “Unë fillimisht kisha frikë. Këtu në fshat thoshin se mjekët po vinin për të vrarë të moshuarit. Apo se të moshuarit vdesin nga vaksinimi. Prandaj ne u frikësuam shumë.” – thotë Ali Kezeri, banor i Altinderes.
Qeveria do të tregojë se po kujdeset për të gjithë. Por kritikët thonë se vaksinimi nuk po funksionon aq mirë sa thonë mediat. Autoritetet fillimisht kishin premtuar se deri në maj do të jenë vaksinuar 60 përqind e popullsisë. Tani ata thonë se kjo do të bëhet deri në vjeshtë.
Kurse Shebnem Korur Fincancı, Kryetar i Shoqatës Mjekësore TTB, thotë se edhe kjo është tepër optimiste: “Ministrisë së Shëndetësisë i ka munguar transparenca që në fillim të pandemisë. Sa doza vaksine do të marrë Turqia dhe kur? Publiku nuk është informuar si duhet për asgjë nga këto. […] Por e qartë është, se nëse vazhdojmë me ritmin aktual, do të na duhet deri në një vit e gjysmë për t’i vaksinuar të gjithë.”
Mjekët si Zenepe Eralp kanë shumë punë për të bërë për aq kohë sa do të ketë doza të mjaftueshme.