Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i cili u la sot i lirë për të vijuar dënimin e mbetur në shtëpi ka reaguar përmes një mesazhi, ku thekson se do të vijojë të kërkojë drejtësi.
Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Saimir Tahiri shkruan se për sa kohë kaloi në qeli pati mundësi të njihte padrejtësinë ndërsa thekson se tani e tutje do të kërkojë të drejtën e tij.
“Do vazhdoj te kërkoj drejtësinë, siç kam bërë deri më sot. Të falenderoj me zemër ty, që ke besuar gjithmonë te gjithcka jam, e kam bërë unë! Faleminderit dhe ty që ke gënjyer gjithmonë, duke me kujtuar çmimin e së vërtetës. Pata mundësi të njihja padrejtësinë përballë. Tani kam mundësinë të kërkoj të drejtën pa kursim! Faleminderit pamasë te gjithëve!”, shkruan Tahiri.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri la sot qelinë me vendim të gjykatës së Elbasanit, pas më shumë se një viti në burg për ta vijuar pjesën tjetër të dënimit në shtëpi.
Tahiri vuante dënimin e tij në burgun e Lushnjës, pasi ishte dënuar me 3 vite e 4 muaj burg duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar për ‘Shpërdorim detyre” ndërsa i ka mbetur më shumë se 1 vit burg për të kryer ende.
Në vendimin e gjykatës thuhet se “Lejohet i dënuari Samir Bashkim Tahiri, që gjatë periudhës se qëndrimit në shtëpi të largohet nga vendbanimi tij për plotësimin e nevojave të domosdoshme familjare për të cilat Shërbimi i Provës është dakord”.
Saimir Tahiri u dënua me burg në shkurt të 2022, ndërsa disa herë kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për lirim nga burg, kërkesë që nuk ishte pranuar. Ish-ministrit Saimir Tahiri përtej dënimit i është hequr e drejta edhe për të ushtruar funksione publike për një periudhë 3-vjeçare.
Tahiri dyshohet se kishte lidhje me dy anëtarë të organizatës, vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj, i pari i arrestuar në Itali. Habilajt janë të afërm të ish-ministrit, emri i të cilit ka dalë disa herë në përgjimet e kryera nga hetuesit italianë.
Pas hetimeve SPAK kërkoi 12 vite burg për Tahirin me akuzat për “Shpërdorim detyre” “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, por GJKKO vendosi ta dënojë atë vetëm për “shpërdorim detyre” me 5 vite burg, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 3.4 vite burg.
Avokati i ish-ministrit të Brendshëm, Maks Haxhia tha se kishte disa arsye që gjykata vendosi në favor të lirimit nga qelia të Saimir Tahirit. Haxhia tha se bashkëshortja e Tahirit ka probleme shëndetësore dhe nuk kujdeset dot për fëmijët, ndërsa vetë ish ministri nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe i kanë mbetur më pak se 2 vite burg për të mbyllur dënimin.