Prokuroria Speciale e Kosovës dorëzoi këtë të martë në Gjykatën Themelore një aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj dy zyrtarëve të tjerë, për keqpërdorimin e dyshuar të rezervave shtetërore.
Menjëherë pas këtij njoftimi, ka ardhur dhe reagimi i ministres Hajdari, e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale se sapo ta ketë pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës, atëherë do të deklarohet më gjerësisht për mediat.
“Të nderuar qytetarë,
Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne.
Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media.
Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022″, shkruan Hajdari.




