Qeveria britanike ka publikuar për herë të parë tabelat e reja të performancës së trusteve shëndetësore në Angli, duke renditur spitalet sipas rezultateve. Në krye të listës janë spitalet specialistike, ndërsa në fund spitalet me probleme të theksuara infrastrukturore dhe financiare.
Më i miri në vend është shpallur Moorfields Eye Hospital NHS Foundation Trust, i ndjekur nga Royal National Orthopaedic Hospital NHS Trust dhe Christie NHS Foundation Trust.
Në vendin e fundit është renditur Queen Elizabeth Hospital në King’s Lynn, i cili për vite ka pasur vështirësi të mëdha me ndërtesat për shkak të defekteve strukturore dhe nevojës për mbajtëse që të mos shemben tavanet.
Ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, deklaroi se këto tabela tregojnë qartë ku nevojitet mbështetje urgjente:
“Pacientët e dinë kur shërbimet lokale nuk janë në nivelin e duhur dhe duan t’i japin fund ‘shortit të kodit postar’. Pikërisht këtë po bën qeveria jonë,” tha ai.
Publiku do të ketë mundësi të shohë performancën e spitalit, shërbimit të ambulancës apo trustit të shëndetit mendor në zonën e tyre. Renditja do të përditësohet çdo tre muaj, me katër kategori: më të mirët do të kenë më shumë liri në përdorimin e fondeve, ndërsa ata në fund të listës do të marrin mbështetje dhe udhëzim shtesë nga autoritetet kombëtare.
Një zëdhënës i spitalit Queen Elizabeth tha:
“Pacientët tanë meritojnë standardet më të larta të kujdesit dhe jemi të vetëdijshëm se në disa fusha kemi dështuar. Po merren menjëherë hapa për përmirësim.”
Megjithatë, organizata NHS Providers, që përfaqëson trustet, vuri në dyshim saktësinë e këtyre tabelave. Drejtori ekzekutiv, Daniel Elkeles, paralajmëroi se renditjet mund të mos matin realisht cilësinë e shërbimit dhe të shkaktojnë pasoja të padëshiruara, si humbja e besimit të pacientëve apo demotivimi i stafit.
Nga viti i ardhshëm, qeveria ka paralajmëruar se drejtuesit e spitaleve me rezultate të dobëta do të mbahen personalisht përgjegjës dhe rrezikojnë ulje të pagës, ndërsa liderët e suksesshëm do të shpërblehen me paga më të larta për të ndihmuar spitalet që kanë nevojë për rikuperim.
Renditja është bazuar mbi disa tregues, përfshirë: kohët e pritjes së pacientëve për trajtime të planifikuara dhe urgjencë, si dhe performancën financiare të trusteve. Kjo do të thotë se një spital me kujdes klinik të mirë mund të marrë vlerësim më të ulët nëse është me deficit financiar të madh.
Ekspertët kanë shprehur rezerva. Thea Stein nga Nuffield Trust theksoi se fokusi i tepërt te treguesit financiarë mund të jetë më pak i dobishëm për pacientët, ndërsa Chris McCann nga Healthwatch England kërkoi që “dashboard-i i ri të jetë i qartë dhe sa më i kuptueshëm për qytetarët”.