Qeveria ukrainase ka akuzuar Rusinë se qëndron pas sulmit kibernetik të së premtes ndaj dhjetëra faqeve zyrtare të internetit.
Rreth 70 faqe të internetit qeveritare u mbyllën përkohësisht, në sulmin më të madh të tillë në Ukrainë në katër vjet.
Përpara se faqet të dilnin jashtë linje, u shfaq një mesazh që paralajmëronte ukrainasit të “përgatiteshin për më të keqen”. Qasja në shumicën e faqeve u kthye brenda disa orësh.
SHBA dhe NATO e dënuan sulmin dhe i kanë ofruar mbështetje Ukrainës. Rusia nuk ka komentuar çështjen.
Ekspertët në Ministrinë e Informacionit të Ukrainës publikuan një plan kohor se si u përhap lajmi për sulmin, duke theksuar se mediat ruse e raportuan atë përpara mediave ukrainase.
Ata pretenduan se sulmet ishin në përgjigje të asaj që ata e quajtën dështimin e Rusisë në bisedimet e saj të fundit me NATO-n mbi Ukrainën.
Ukraina është vënë nën presion të madh nga fqinji i saj, me një grumbullim prej rreth 100 mijë trupash ruse pranë kufijve të saj.
Shërbimi i sigurisë SBU i Ukrainës thotë se në vetëm nëntë muaj vitin e kaluar “neutralizoi” 1200 sulme kibernetike ose incidente.
NATO ka thënë se së shpejti do të nënshkruajë një marrëveshje me Ukrainën për bashkëpunimin e zgjeruar kibernetik, i cili do t’i japë asaj akses në platformën e shkëmbimit të informacionit të malware të aleancës.
Shtëpia e Bardhë thotë se do t’i ofrojë Ukrainës çdo mbështetje që i nevojitet për t’u rikuperuar nga sulmi.