Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe nuk i lejon sportistët kosovarë të futen në territorin e saj dhe për këtë shkak Ukraina mund ta humb të drejtën e organizimit të fazës së grupeve të Kampionatit Botëror të Futsallit 2020, shkruajnë mediat ukrainase.
Ndeshjet e raundit kryesor kualifikues do të mbahen në Ukrainë në tetor të vitit 2019.
Grupi i Kosovës i përfshin edhe Ukrainën, Slloveninë dhe Maqedoninë.
Ukraina nuk e ka pranuar Kosovën si shtet dhe nuk i lejon qytetarët kosovarë të futen në territorin e saj.
Në të kaluarën kishin ndodhur raste të tilla, në vitin 2015, klubi i hendbollit Prishtina nuk ishte lejuar të futej në territorin ukrainas.
Më pas të dyja ndeshjet ishin zhvilluar në Kosovë.
Gjithashtu, edhe ndeshja kualifikuese e Botërorit 2018 ndërmjet Ukrainës dhe Kosovës ishte zhvilluar në terren neutral.
Po ashtu, dueli ndërmjet Ukrainës dhe Kosovës në kualifikimet e Eurobasket ishte zhvilluar jashtë Ukrainës.
Tash gjërat kanë ndryshuar pasi institucionet më të larta të sportit po i kushtëzojnë vendet organizatore të turneve të ndryshëm që ta pranojnë pa kushte Kosovën.
Andaj, ukrainasit frikësohen se mund ta humbin organizimin e kësaj faze kualifikuese të Botërorit të Futsallit nëse Qeveria ukrainase nuk i lejon kosovarët të futen në territorin e tyre.
Nëse kjo ndodh, ka gjasa që UEFA të vendos që ky turne të mbahet në një vend tjetër evropian.