Ukraina njoftoi sot se ka “pezulluar” procedurat e nisura në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër vendeve fqinje anëtare të BE-së, si Polonia, të cilat kanë miratuar kufizime në eksportet e saj të grurit. Kievi është shprehur optimist se ngërçi me këto vende mund të zgjidhet, por ndoshta jo përpara zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në Poloni më 15 tetor.
“Ndërsa ne po kërkojmë një zgjidhje praktike, procedura për mosmarrëveshjet tona në Organizatën Botërore të Tregtisë ku ne kemi apeluar aktualisht është pezulluar”, tha zëvendësministri i ekonomisë Taras Katska, cituar nga agjencia e lajmeve Interfax-Ukraine.
Ai vlerësoi se mosmarrëveshjet për çështjen e eksporteve të grurit të Ukrainës do të “zgjidhen brenda javëve dhe muajve të ardhshëm “.
Ukraina kundërshton çështjen e eksporteve bujqësore në tre shtete anëtare të BE-së, Poloninë, Sllovakinë dhe Hungarinë , të cilat në shtator zgjatën embargon e tyre ndaj importeve të grurit ukrainas, pavarësisht heqjes së kufizimeve të vendosura nga Brukseli. Këto vende thanë se duan të mbrojnë fermerët e tyre kundër fluksit të grurit ukrainas, i cili ka shkaktuar rënien e çmimeve.
Ky vendim kishte shkaktuar një rritje të tensioneve mes Kievit dhe aleatëve të tij të Evropës Lindore, si Polonia, e cila kishte protestuar duke kërkuar urgjentisht një shpjegim nga ambasadori ukrainas, pas deklaratave të ashpra të Zelenskit nga podiumi i OKB-së.
Ukraina ka qenë në gjendje të eksportojë drithërat e saj përmes Detit të Zi për gati një vit sipas një marrëveshjeje me Moskën e ndërmjetësuar nga Turqia dhe OKB. Rusia u tërhoq nga ajo marrëveshje në korrik, duke përmendur sanksionet perëndimore si pengesë për eksportet e saj.