Ursula von der Lyen tregon planin e hapjes së ekonomisë

 533 total views,  1 views today

Evropianët do të gjejnë “zgjidhje të zgjuara” për t’i lejuar njerëzit të bëjnë pushimet verore përkundër pandemisë koronavirus, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një intervistë për “Expresso Sunday”. Një javë më parë ajo deklaroi se qytetarët nuk duhet të rezervojnë ende pushimet e tyre verore. “Unë mendoj se do të gjejmë zgjidhje të zgjuara për të pasur pushime verore. Ndoshta pak më ndryshe, me masa të tjera higjienike, me një distancë pak më shumë sociale, por do të shohim që do të gjejmë zgjidhje,” tha von der Leyen. 

Presidentja e komisionit tha se “është mirë” që vendet e BE-së kanë filluar të “heqin masat kufizuese”, por paralajmëroi se qeveritë duhet të ecin përpara “me kujdes, hap pas hapi dhe gjithmonë me vigjilencë”. Këtë javë, Komisioni Evropian publikoi udhëzime për të përmirësuar koordinimin midis 27 kryeqyteteve në heqjen e masave kufizuese. “Është e vështirë të parashikosh se si do të jenë muajt e ardhshëm, por ajo që unë shoh është se ne kemi filluar të mësojmë të jetojmë me virusin”, tha von der Leyen, duke shtuar se ajo është “habitur” me zgjidhjet që kanë gjetur disa sektorë ekonomikë që të funksionojnë. 

Në përgjigje të sjelljes së Unionit Europian pas shpërthimit të pandemisë, presidentja e komisionit pranoi se kishte “momente kritike” në fillim të krizës, por “pas disa ditësh, vendet kuptuan se nuk ishin në gjendje ta menaxhonin vetëm këtë krizë” dhe më pas koordinimi u përmirësua. “Tani ne shohim mjekë rumunë dhe infermierë polakë që shkojnë në Itali për të ndihmuar; ne shohim pacientë francezë që ndodhen në Austri ose Luksemburg; ne shohim ventilatorë që shkojnë nga Gjermania në Spanjë. 

Kjo është Evropa që dua, ku një zemër e fortë dhe mbështetëse po rreh dhe kështu duhet të ecim përpara”, tha von der Leyen. Edhe Shqipëria, në solidarizim të situatës së rënduar në Italinë fqinje, dërgoi 30 mjekë dhe infermierë në ndihmë të spitalit të Breshias. Komisioni i Bashkimit Europian paraqiti pak ditë më parë udhërrëfyesin për të hapur gradualisht ekonominë e bllokut 27 anëtarësh. Presidentja e Komisionit Ursula Von Der Leyen tha se përpara heqjes së kufizimeve dhe hapjes së ekonomisë, vendet duhet të kenë ulje drastike të numrit të infektimeve për një periudhë të gjatë kohe. 

Plani i BE është që në 14 prill të hapen bibliotekat dhe kioskat, më 18 prill ndërmarrjet bujqësore dhe industriale, në 4 maj të hapen dyqanet e mëdha, por jo qendrat tregtare, gjykatat dhe zyrat profesionale. Më 18 maj parashikohen të hapen baret dhe restorantet dhe aktivitetet e hotelerisë. Në 31 maj parashikohet rifillimi i kampionateve të futbollit dhe të sportit, ndërsa në dhjetor kinematë dhe teatrot. BE është ende e pavendosur për rihapjen e çerdheve dhe shkollave fillore. Ndërsa në 31 mars 2021 parashikohet rihapja e kufijve, përfundimi i gjithë kufizimeve.