Për herë të parë në histori, Uzbekistani ka siguruar kualifikimin për Kupën e Botës, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm.
Ky është një moment historik jo vetëm për kombëtaren, por për gjithë vendin, që tashmë sheh frytet e një pune të gjatë dhe të përkushtuar në zhvillimin e futbollit.
Kualifikimi u arrit pas një fushate mbresëlënëse në eliminatoret aziatike, ku Uzbekistani tregoi karakter, disiplinë taktike dhe një brez të ri lojtarësh me talent të spikatur.
Me këtë sukses, Uzbekistani bëhet një nga kombet e pakta nga Azia Qendrore që arrin të marrë pjesë në turneun më prestigjioz të futbollit botëror. Teksa vendi përgatitet për të marrë pjesë në arenën më të madhe të futbollit, tifozët në gjithë Uzbekistanin festuan një ëndërr të bërë tashmë realitet.
Për të 11-ën herë radhazi, Korea e Jugut do të jetë pjesë e Botërorit. Aziatikët siguruan kualifikimin pas një fitoreje bindëse 2-0 ndaj Irakut, që për një pjesë loje luajti me një futbollist më pak.
Me këtë rezultat, Korea e Jugut vazhdon traditën, për të qenë sërish pjesë e kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik.
Edhe Jordania do fluturojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Meksikës. Jordania arriti një nga momentet më të lavdishme në historinë e saj futbollistike, duke u kualifikuar për herë të parë në Kupën e Botës, pas një fitoreje të thellë 3-0 ndaj Omanit dhe garantuar Botërorin një ndeshje para fundit.