Gjatë vizitës në Kukës, kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim edhe me minatorët e Kalimashit.
Kryedemokrati tha se as një pushtues nuk do ia kishte bërë Kukësit këtë që bëri Rama, pasi sipas tij nëse futesh në shtëpinë e një kuksiani duhet të jesh i verbër që të mos e shikosh dhimbjen dhe vuajtjen nga boshatisja.
“Ky që do të ikë me 25 prill nuk i përgjigjet një pyetje për investimet e huaja për të hapur vende pune. Nuk ka asnjë, i përzuri, qeverisjen e tij 8 vjeçare nuk e ka bërë për njerëzit por për vete. Të futesh në shtëpinë e një kuksiani duhet të jesh o i verbër ose budalla që të mos e shikosh dhimbjen dhe vuajtjen nga boshatisja.
Një pushtues nuk do ja kishte bërë këtë që i bëri Kukësit dhe gjithë Shqipërisë. Prioritet absolut është që ta mbajmë rininë këtu, po rinia nuk bahet me llafe, nuk mbahet duke thënë “ju nuk bëni dhe unë do marr nga Bangladeshi”. Në Bangladesh të shkojë vetë dhe në Bangladesh ta çojmë në 25 prill. Kukësi do të jetë për kuksianet, Shqipëria do të jetë për shqiptarët”, tha Basha.
Më tej, Basha prezantoi programin e PD në këto zgjedhje ku foli për partneritetin e Shqipërisë me SHBA dhe BE për arsimimin e të rinjve.
“Ne sot kemi plane që i kemi hartuar me BE, me SHBA me ata që na janë gjetur pranë. Plani i parë do të jetë arsimimi i tyre. Rinia e Kukësit është shumë e aftë me kompjuter. 20 profesione do ti marrin online përmes kompjuterit të subvencionuar nga shteti. 5 gjuhë të huaja do të mësojnë për shkak të aleancës që kemi bërë me BE”, tha Basha.