Viktima dhe kaos nga moti i keq në SHBA

albnews
By
2 Min Read

Të paktën 28 vetë kanë vdekur në Bufalo të Nju Jorkut, dhe 62 gjithsej në mbarë Amerikën e Veriut pas goditjes së një stuhie të jashtëzakonshme dimërore.

Disa nga viktimat u gjetën të bllokuar në makina për më shumë se dy ditë. Dëbora pritet të arrijë deri në 1 metër e 25 cm lartësi, ndërsa stuhia ka prekur mbarë kontinentin, nga Kanadaja në Meksikë.

Presidenti amerikan Joe Biden miratoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shtetin e Nju Jorkut që do të mundësojë çlirimin e fondeve federale. Shteti fqinj Nju Xhersi dërgoi gjithashtu shërbime emergjente në Nju Jork për të ofruar ndihmë.

Guvernatorja e shtetit Kathy Hochul, me origjinë nga Buffalo, e përshkroi stuhinë si “katastrofën e shekullit”.

Zyrtarët e emergjencave po kontrollojnë çdo makinë në kërkim të të mbijetuarve. Aeroporti do qëndrojë i mbyllur deri të mërkurën në mëngjes.

Edhe pjesa tjetër e Shteteve të Bashkuara u godit nga i ftohti i skajshëm. Në disa zona pati ndërprerje të energjisë elektrike.

Moti i ftohtë krijoi kaos në transportin ajror. Sipas kompanisë FlightAware, që monitoron fluturimet, vetëm të hënën u anuluan 4 mijë fluturime brenda Shteteve të Bashkuara, 2900 prej të cilave nga linjat e kompanisë Southwest.

Share This Article