Këtë të hënë nis viti i ri akademik. Rreth 20 mijë studentë do të ulen për herë të parë në auditorët e universiteteve, ndërsa Mjekësia ka bojkotuar procesin arsimor. Të veshur me bluza të bardha studentët po protestojnë para fakultetit kundër punësimit me detyrim në Shqipëri.
Ky bojkot vjen pasi ata kundërshtojnë ligjin e ri, i cili i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas mbylljes së studimeve. Studentët nga vitit i dytë deri në vitin e katërt do të punojnë tre vite pas diplomimit, ndërsa studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë dy vite pas diplomimit. Ndërkohë që alternativa e dytë që u paraqitet studentëve që janë aktualisht në sistem, pra nëse nuk do duan që pas diplomimit të qëndrojnë për dy apo tre vite në Shqipëri, ata do të paguajnë koston e plotë të studimeve por për vitet që kanë mbetur. Ndërkohë, që nuk ka një vendim të institucioneve në lidhje me pagesën që do të duhet të paguajnë studentët nëse nuk do ta firmosin marrëveshjen.
Sipas të dhënave nga portali universitar, institucionet publike mbeten më të preferuarit, pasi rreth 75% e totalit të regjistrimeve janë në publik dhe pjesa tjetër në privat. Sa i përket programeve të studimit që kanë numrin më të lartë të studentëve të regjistruar në vit të parë, mbeten degët e Shëndetësisë dhe sidomos dega e infermierisë e cila ofrohet në disa universitete, dhe thith një përqindje të madhe të numrit të maturantëve.