Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda, gjatë një interviste televizive foli për masat që qeveria ka marrë për të ndihmuar banorët më shumë të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Voda thotë se “qeveria ka mundësuar nëpërmjet strukturave hoteliere akomodimin e qytetarëve. Sa i përket Durrësit, kemi tre struktura të mëdha, rreth 625 banorë të strehuar aty. Shifrat lëvizin çdo darkë që mblidhet nga shtabi i emergjencës”.
Zëvendësministrja shton se, “në ambientet publike si palestra, për momentin kemi rreth 200 të strehuar. Dua të theksoj në strukturat hoteliere dhe ekipet mjekësore, kemi asistencë mjekësore që nuk ka munguar asnjëherë. Kemi psikologë për tu ndenjur njerëzve afër”.
Voda foli edhe për procesin e verifikimit të banesave ku thotë se grupet e punës janë në terren.
“Përveç kakofonisë së krijuar, grupet e verifikimit të ngritura me inxhinierët tanë dhe me inxhinierë të huaj, janë në terren, sot është dita e tretë. Fillimisht jemi marrë me objektet e dëmtuara shumë rëndë”, u shpreh zëvendësministrja.
Voda thotë se deri më sot ka shkuar në 22 numri i objekteve që duhet të prishen, për bashkinë e Durrësit.
“Deri më tani kemi të verifikuara 200 shtëpi nga grupet e verifikimit dhe 85 kopshte. Përveç strukturave private po verifikohen dhe kopshtet dhe shkollat. Është bërë një punë në terren dhe po vazhdon. Për çdo njësi bashkiake, administrative të Durrësit janë ngritur grupe ekspertësh. Njerëzit kanë kërkesa por ju bëjmë thirrje të ruajnë qetësinë, verifikimet po bëhen, njerëzit janë në terren por prioritet janë godinat e dëmtuara shumë rëndë dhe institucionet publike sepse shumë shpejt do të fillojë jeta normale në qytet”, u shpreh Voda./ATSH/