Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka mori pjesë sot në punimet e Konferencës së Nivelit të Lartë të angazhimit për Fondin për Ndërtimin e Paqes, së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Përgëzime për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe bashkëkryetarët nga Sierra Leone, Sudani, Gjermania dhe Kanadaja për këtë aktivitet të suksesshëm”, tha Xhaçka.
Ajo theksoi se “Shqipëria mbështet fuqimisht të gjitha përpjekjet për parandalimin e konfliktit dhe ndërtimin e paqes dhe e vlerëson fondin si një instrument thelbësor për paqen dhe sigurinë”.
“Qasja shumëpalëshe, e bazuar në rregulla, për parandalimin e konfliktit dhe ndërtimin e paqes është një nga përparësitë kryesore të Shqipërisë, si kandidat për vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB, për vitin 2022–2023”, tha ministrja Xhaçka.