Ndryshimi klimatik një urgjencë globale

 4,460 total views,  1 views today

Ndryshimi klimatik është një urgjencë botërore, sipas dy të tretës së personave të pyetur gjatë një sondazhi të pazakontë, të realizuar nga PNUD në 50 vende dhe publikuar sot.

“Ky sondazh ka mundësuar marrjen e mendimit të 1,22 milionë personave të shpërndarë në 50 vende të botës, nga Australia në SHBA, nga Afrika e Jugut në Rusi, nga Argjentina në Filipine, nga Egjipti në Turqi”, sipas një komunikate, 550 000 prej të cilëve nën 18 vjeç dhe nga vende si Iraku apo Pakistani.

“Në shumë prej këtyre vendeve nuk është zhvilluar kurrë një sondazh i opinionit publik i kësaj përmase që përqendrohet në ndryshimin klimatik”, nënvizon PNUD.

“Kjo tregon se 64% e personave mendojnë se ndryshimi i klimës është një emergjencë globale”, sipas deklaratës nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), i cili punoi me Universitetin e Oksfordit.

“Shqetësimi për ndryshimin e klimës është shumë më i përhapur sesa ajo që dinim më parë”, theksoi Stephen Fisher, një sociolog në Universitetin e Oksfordit.

“Dhe shumica dërrmuese e atyre që pranojnë emergjencën e klimës duan një përgjigje urgjente dhe gjithëpërfshirëse”, shtoi ai.

Rreth 80% e britanikëve, italianëve dhe japonezëve janë të shqetësuar, një përqindje që bie në dy të tretat në vende si SHBA-ja, Rusia, Vietnami dhe Brazili. Në Francë, Gjermani, Afrikë të Jugut dhe Kanada, më shumë se tre të katërtat e të pyeturve flasin për një “emergjencë globale”.

Për sa i përket moshës, të rinjtë janë më të prirur të shohin ndryshimin e klimës si një emergjencë, të ndjekur nga ata 36-59 vjeç. Midis personave mbi 60 vjeç, shqetësimi është më i vogël.

Përqindja e grave të shqetësuara për ndryshimin e klimës është më e lartë se ajo e burrave (me 4% mesatarisht midis 50 vendeve).

Për 54% të të pyeturve, zgjidhja më e popullarizuar për të luftuar kundër ngrohjes globale është mbrojtja e pyjeve dhe habitateve natyrore, e ndjekur nga zhvillimi i energjive të rinovueshme, teknikat më të virtytshme të bujqësisë për klimën dhe investimi më shumë në një ekonomi “të gjelbër”.

Share
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •