Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi realizoi takim me Kryetarin e Parlamentit Evropian, David Maria Sasoli, i cili pas ndërmarrjes së funksionit, vizitën e parë jashtë Bashkimit Evropian e realizon pikërisht në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Kryetari Xhaferi shprehu mirënjohje ndaj z. Sasoli për letrën që bashkë me funksionarët më të lartë të Bashkimit Evropian e drejtuan para mbajtjes së takimit të Këshillit Evropian, me të cilën kërkohej ndarja e datës për negociatat e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe theksuan se vendimi do të jetë test për aftësinë e Unionit ti përmbushë premtimet dhe të shohë drejt ardhmërisë.
Xhaferi falënderoi edhe për mbështetjen e Parlamentit Evropian e cila erdhi në formë të Rezolutës për fillimin e negociatave aderuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku theksohet se vendimi i samitit të fundit është gabim strategjik, i dëmshëm për besueshmërinë e BE-së dhe dërgon sinjal negativ te vendet kandidate në lidhje me marrëdhëniet e mira fqinjësore, si edhe se hap derë për ndikime tjera në rajon. Ai theksoi se, ekziston dëshpërim i madh pas vendimit të Këshillit Evropian për arsye se arsyeshëm pritnim mirënjohje për reformat e realizuara dhe për vendimet serioze politike të vendit për përmbushjen e rekomandimeve të BE-së. Nëse arsyeja për mosndarjen e datës për negociata është nevoja për vendosjen e metodologjisë së re për negociatat aderuese e cila procesin do e bëjë më efikas, kjo është e pranueshme për ne por, nuk është e pranueshme alternativa e procesit të aderimit si partneritet i privilegjuar ose vënia e vendit në kategorinë fqinjësisë të BE-së, theksoi Kryetari Xhaferi.