Qendra e Portland Trail Blazers, Jusuf Nurkiq, u përpoq të blinte vaksina anti-COVID për të vaksinuar të gjithë popullsinë e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Por, një gjë e tillë nuk mund të arrihet për momentin për shkak të ligjeve amerikane, sipas Nurkiq.
Ideja e Nurkiqit kishte lindur pasi ka parë se sa vaksina shtesë ishin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ai u përpoq të dërgonte sa më shumë në shtëpinë e tij të lindjes.
Për një vend që ka vetëm rreth 5% të popullsisë plotësisht të vaksinuar kundër koronavirusit, dhurimi i Nurkiqit do të ishte jashtëzakonisht i dobishëm.
“Ata thjesht kanë donacione, por jo aq sa të vaksinojnë të gjithë njerëzit. Unë u përpoqa të blej për të gjithë vendin. Unë mora vesh sa para duhen, planin dhe gjithçka. Por ne ende nuk mund ta bëjmë atë. Edhe nëse gjejmë vaksina, unë mendoj se ligjet e Shteteve të Bashkuara thonë që derisa njerëzit amerikanë të vaksinohen, ju nuk mund ta shisni atë. Kështu që, unë nuk di çfarë të bëj tjetër. Unë me të vërtetë u përpoqa”, ka thënë Nurkiq për ESPN.
Pandemia e koronavirusit, ashtu si për shumë të tjerë nëpër botë, është personale për Nurkiqin.
26-vjeçari ka thënë se ai humbi disa anëtarë të familjes nga virusi, përfshirë gjyshen e tij – lajme që ai i mësoi pak pasi mbërriti në flluskën e NBA në Walt Disney World korrikun e kaluar.
Megjithëse luftoi dy javë me koronavirusin dhe madje e kaloi atë, gjyshja e Nurkiqit vdiq dy ditë më vonë nga një sulm në zemër.
“Në atë moment, do të doja të mund të merrja vetëm një aeroplan për të shkuar në varrim. Ndoshta, nëse do të mund ta bëja përsëri, do ta bëja atë. Është e vështirë kur je me të vërtetë shumë larg”, vijoi rrëfimin ai.
Nurkiq ka thënë që të shohësh disa amerikanë që janë kundër vaksinës është tepër zhgënjyese, duke bërë thirrje që njerëzit të vaksinohen sa më shumë.
Rreth 48% e të rriturve në Shtetet e Bashkuara janë vaksinuar plotësisht, sipas The New York Times. Edhe pse kjo është dukshëm më e lartë se shumë vende në të gjithë globin, është shumë poshtë asaj që presidenti Joe Biden shpresonte se vendi do të arrinte deri tani.