Dje në Prishtinë u promovuan dy librat më të rinj të autores Mihane Hoxha – Hana: “Eva, tokësorja” dhe “Rrënjët e pa shkëputura (rrëfimet e babës)”, në një ngjarje kulturore që mblodhi një numër të konsiderueshëm mysafirësh, dashamirës të librit, familjarë dhe figura të njohura të letrave.
Kjo ngjarje mori një domethënie të veçantë, pasi librat u prezantuan pikërisht në ditëlindjen e 80-të të babait të autores, të cilit i kushtohet njëra nga veprat.
Pra, ceremonia e promovimit u karakterizua nga emocionet, reflektimet dhe vlerësimet e thella për krijimtarinë e autores, e cila po vazhdon të fitojë vend gjithnjë e më të rëndësishëm në letrat shqipe.
Redaktorja e dy librave, Dafina Jegeni-Krasniqi, e përshkroi punën me autoren si “udhëtim emocional” dhe theksoi se librat e Mihanes nuk janë vetëm tekste, por “frymë, kujtim dhe shpirt i hedhur në letër”. Ajo vlerësoi thellësinë e veprës “Rrënjët e pa shkëputura”, një rrëfim i ngrohtë familjar që ruan amanetin e brezave, si dhe forcën poetike të librit “Eva, tokësorja”, që e sjell gruan në të gjitha dimensionet e saj – të brishtë, sfiduese dhe të pandalshme. “Këto dy libra nuk duhen sqaruar – duhen ndjerë”, theksoi ajo.

Ndërsa, Prof. Gresa Shaqiri, e cila përktheu të dy librat në anglisht, ndau përjetimin e saj të thellë gjatë procesit të përkthimit. Ajo tha se vepra e autores e fut lexuesin në dy botë të ndryshme, por thellësisht njerëzore: rrëfimin dokumentar dhe prekës të babait në “Rrënjët e pa shkëputura” dhe universin e përjetimeve të gruas në “Eva, tokësorja”. Shaqiri theksoi se përkthimi për të nuk ishte vetëm gjetje fjalësh, por “përpjekje për të ruajtur frymën, peshën dhe emocionin e librave”.

Agron Gjedia, kryetar i shoqatës “Ndue Bytyqi”, e cilësoi rritjen e autores si të dukshme dhe të admirueshme. Ai kujtoi promovimet e saj të mëparshme në Tiranë dhe theksoi se Mihane Hoxha “çdo ditë e më shumë e mpreh lapsin, mendjen dhe vargun”, duke i uruar asaj suksese të mëtejshme në krijimtarinë letrare.

Shkrimtari i njohur, Ismail Syla, e cilësoi veprën “Eva, tokësorja” si një prurje estetike me vlera të veçanta. Ai theksoi se libri paraqet 50 portrete të Evës, nga ajo e shtypura e dikurshme deri te Eva moderne, blogere e influencuese, duke e bërë veprën një reflektim të fuqishëm për transformimet e femrës në kohë.

Në përmbyllje, autorja Mihane Hoxha ndau me të pranishmit domethëniet e dy librave. Ajo shpjegoi se “Eva, Tokësorja” është një udhëtim nëpër identitetin, lirinë dhe sfidat e gruas, nga simbolika biblike deri te gruaja e sotme. Ndërsa “Rrënjët e Pashkëputura” është një libër tejet personal, që sjell rrëfimet e babait të saj – rrëfime që përfshijnë sakrificat, migrimin, luftën, mbijetesën dhe shpresën e popullit tonë.
“Ky është një udhëtim personal dhe historik, që flet për rrënjët, identitetin dhe jetën që na ka formuar si individë e si shoqëri”, tha autorja, duke falënderuar të pranishmit për mbështetjen.

Promovimi u mbyll në një atmosferë mirënjohjeje dhe inspirimi, duke i lënë të pranishmit me ndjesinë se letërsia e Mihane Hoxhës vazhdon të ndërtojë ura mes brezave dhe përvojave njerëzore./Vendisot.info/




