Konferenca mbi “Klimën në Ballkanin Perëndimor”, që pritej të zhvillohej në orën 10:00 në Tiranë, është anuluar për shkak të incidenti mes delegacionit serb dhe atij kosovar.
Mësohet se delegacioni serb nuk ka pranuar të rrijë bashkë me delegacionin kosovar, të dy të ftuar si pjesë e kësaj konference të rëndësishme. Kosova nuk ka pranuar të përfaqësohet nën logon UNMIK, me pretendimin se është shtet i pavarur. Nga ana tjetër delegacioni serb nuk e ka pranuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Konference, e për këtë arsye janë larguar, duke mos dashur lejimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në OKB. Në një prononcim për media Ministri i Mjedisit të Kosovës, u shpreh se askush nuk duhet të ëndërrojë që ta përjashtojë Kosovën.
Ndërsa ministri shqiptar i Mjedisit Blendi Klosi, u shpreh: “Ne kishim një dakordësi më herët me OKB-në dhe me Serbinë, po ata nuk ishin dakord që Kosova të kishte të drejtë vote, dhe për këtë ne jemi këtu. Kosova kishte statusin e të ftuarit special”, transmeton tch.