Federata e Futbollit të Maqedonisë dënon
gjuhën e urrejtjes që është përdorur sot në Prilep ndaj futbollistit të
reprezentacionit të Maqedonisë në futboll, Ezgjan Alioski.
“Ne si federatë dhe institucion që kemi përgjegjësi shoqërore dhe që jemi të angazhuar për zhvillimin e vlerave pozitive në shoqëri, gjithmonë do të qëndrojë në anën e së drejtës dhe të respektit, pa dallim feje, kombi, race. Ne i bëjmë thirrje institucioneve të reagojnë ashtu siç është e paraparë për ngjarje të tilla të pakëndshme, në mënyrë që të mos përsëriten kurrë”, thuhet mes tjerash në reagimin e FFM-së.
Alioski bashkë me familjen e tij sot deri sa kanë qenë ulur në restorantin “La Strada” në Prilep, në momentet që ata kanë folur shqip, personeli i restorantit i ka dëbuar me arsyetimin se ata po flisnin shqip. Lajmin e ka pohuar edhe vetë Alioski. Ndërsa siç mëson Alsat, MPB ka marrë në bisedë informative stafin e restorantit “La Strada”.