Rreth 40 km nga bregu verior i Islandës, ky gji është shtëpia e një prej lagjeve më të largëta të Europës dhe një popullate zogjsh.
Edhe në një ditë me diell në fund të gushtit, era në ishullin e Grimsey ‘i pret’ veshjet kundër ujit me kaq forcë sa duket sikur edhe një shkulm i saj mund të të fshijë përgjithmonë nga harta.
Deri në vitin 1931, e vetmja mënyrë për të mbërritur në ishull ishte një varkë që dërgonte letrat dy herë në vit. Sot, ka fluturime 20-minutëshe nga Akureyri dhe tragete të cilat brenda tri orëve marrin aventurierët nga fshati Dalvik për t’i sjellë në këtë vend shkëmbor ku ka një shumëllojshmëri zogjsh e gjallesash të egra.
Veë zogjve arktikë e pufinëve, në të gjenden edhe pulëbardhat me këmbë të zeza, kuaj e dele. Numri i zogjve tejkalon atë të banorëve në raportin 50.000 me 1.
“Nuk do ta besoni, por 20 prej nesh jetojnë gjithë kohën këtu”, shpjegon udhërrëfyesja Halla Ingolfsdottir për BBC.
Ishulli prej 6.5 km katrorë është rreth 40 km nga bregu verior, zona më e banuar në veri dhe e vetmja pjesë e Islandës që hyn në Rrethin Arktik.
Nuk ka spital, mjek apo komisariat në Grimsey. Në rast urgjence, Roja Bregdetare dhe shërbimet e emergjencës kanë trajnuar ishullorët që të veprojnë. “Kur jeton këtu, duhet të mësosh të jesh fleksibël dhe të përshtatesh ndaj situatave e skenarëve të ndryshëm. Ne jemi të përgatitur për gjithëka. Në rast urgjencë, ata na trajnojnë që të jemi gati për ndihmën e parë dhe një mjek vjen çdo tri javë me avion”.
Disa shtëpi të vogla që funksionojnë edhe si bujtina për turistët gjenden në jugperëndim të ishullit. Sanvik ka edhe një shkollë që funksionon si qendër komunitare, një galeri artizanatesh dhe kafene që ka ushqime të përgatitura në shtëpi, pulovra etj. Gjithashtu ka një dyqan të vogël që hapet një orë në ditë, një restorant me një bark, një pishinë, bibliotekë, kishë dhe një pistë avionësh që funksionon edhe si vend pushimi për zogjtë.
Vendndodhja e ishullit do të thotë që preket nga netët polare kur errësira e plotë zgjat nga fillimi i dhjetorit deri në mes të shkurtit. Një nga mënyrat si ishullorët ia dalin me errësirën është duke vendosur dritat e tyre. “Ne i nisim herët zbukurimet e Krishtlindjeve sepse duam të ndriçojmë errësirën dhe dekorojmë me drita Krishtlindjesh. Këtu është si një qytezë Krishtlindjesh dhe nuk i heqim deri në shkurt”, shpjegon Ingolfsdottir.
Ajo shton se Grimsey po përgatitet për të ardhmen pasi ka disa projekte për verën e ardhshme duke përfshirë një pushim për shkrimtarët dhe artistët që mund të shkojnë dhe qëndrojnë në disa shtëpi ekzistuese që do të rinovohen për t’u kthyer në qendra akomodimi.