Një shtetase shqiptare e shpallur në kërkim ndërkombëtar është prangosur në Londër, me qëllim ekstradimi në Shqipëri.
E kërkuara e drejtësisë shqiptare Aurela Sinani 30 vjeçe, u identifikua nga Interpol Tirana se kishte mbërritur në Angli.
Më pas Drejtoria për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit ia kaloi të dhënat skuadrës të ekstradimeve në Angli.
Sinani akuzohet se në periudhën kohore Gusht 2020-Shtator 2020 në territorin shqiptar, në bashkëpunim me të tjerë u përfshi në një konspiracion mashtrimi, në marrjen e një pensioni invaliditeti, duke paguar si ryshfet në dy raste shumat prej 70.000 lekë dhe 120.00 lekë.
Këto shuma sipas akuzës ia pagoi mjekëve të komisionit për të përfituar këtë favor. Prej momentit të arrestimin deri në vendimin final të gjykatës së ekstradimeve ajo do të mbahet në burgun e grave HMP Bronzefield.
Ky është rasti i dytë në Britaninë e Madhe kur një shtetase shqiptare arrestohet për qëllime ekstradimi si e kërkuar nga drejtësia shqiptare. Në Tetor 2023 Top Channel raportoi se sipas dokumenteve nga gjykata e ekstradimeve në Londër, skuadra e ekstradimeve në Scotland Yard, arrestoi Lirie Delishin.
Gjykatës së ekstradimeve iu tha se Lirie Delishi 25 vjeçe, me banim në veri të Londrës, kërkohet pasi sipas akt akuzës ngritur nga drejtësia shqiptare, ajo dyshohet se në datën 22/08/2019 në territorin e Shqipërisë, mbante një pasaportë rumune të falsifikuar, e cila i përkiste Simona Valcu.
Më tej në aktakuzë shpjegohet se Delishi kishte si qëllim ta përdorte këtë pasaportë sikur të ishte e vërtetë duke i vendosur foton e saj.
Delishi është duke i zhvilluar seancat gjyqësore të ekstradimit e lënë e lirë me kusht pas vendimit të marrë në gjykatën Westminster Magistrates’ Court nga gjykatësi DJ Zani.