28 fëmijë shqiptarë gjenden në kampet kurde

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Qeveria shqiptare po bën përpjekje për të kthyer në Shqipëri gratë dhe fëmijët, që gjenden në kampin e Al-Hol, të cilët janë në proces identifikimi.

Kështu deklaroi ministrja e shtetit Elisa Spiropali gjatë një interpelance në parlament për këtë temë, e cila bëri të ditur identifikimin e plotë deri tani e të paktën 28 fëmijëve shqiptarë.

“Shqipëria ka vendosur kontakte gjatë muajve qershor dhe korrik. Në fund të muajit gusht u diskutua një operacion i mundshëm riatdhesimi. Por situata në terren ndryshoi. Operacioni ngriu. SHBA u tërhoqën dhe në terren ka një situatë të re gjeopolitike”, tha Spiropali.

Sipas saj, afro 500 persona nga Ballkani janë ende aty, 150 janë shqiptarë, 72 janë nga Shqipëria, 11-13 burra të klasifikuar si terroristë në burgjet e kontrolluara nga forcat kurde.

“Nga 1 mijë individë nga Ballkani perëndimor në atë zonë, rreth 400 prej tyre janë kthyer nëpër vendet e tyre, duke e bërë këtë rajonin me përqendrimin më të madh të luftëtarëve të huaj në Europë”, Spiropali.

Interpelanca e ministres Spiropali u kërkua nga një grup deputetësh, që kërkuan të dhëna për operacionet mbi shpëtimin e 11-vjeçarit Alvin Berisha, për të cilin u interesuan gazetarët italianë, ngaqë babai i tij jeton në Itali.

“Babai i Alvinit ka marrë një letër nga ai në qershor. Prania e tij në kamp u njoftua nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar pranë ambasadës shqiptare në Kajro në fillim të muajit shtator. Jemi përpjekur ta ndihmojmë familjen Berisha. Ambasada jonë u njoftua më 22 shtator se grupi i gazetarëve italianë do të udhëtonin drejt kampit, gjë që u krye më 28 shtator. Nga pikëpamja zyrtare, kjo është një punë e vështirë”, tha ajo.

Ajo shtoi se situata në Siri vazhdon të mbetet e komplikuar si zonë konflikti me informacion të kufizuar.

Shumë prej shqiptarëve udhëtuan pa dokumente dhe kaluan kufijtë në mënyrë të paligjshme, ndaj sipas saj, identifikimi i plotë dhe përfundimi i operacionit është një punë e vështirë prej mungesës së institucioneve homologe, sepse janë zhdukur dokumentet shqiptarë dhe janë pajisur me dokumente të Kalifatit, të cilat edhe këto janë grisur tanimë për të mos u identifikuar ISIS.

“Shteti shqiptar po bën gjithçka është e mundur për të kthyer gratë dhe fëmijët nga ato kampe. Këto territore kontrollohen nga struktura paramilitare dhe nuk u binden rregullave ndërkombëtare për lirimin e personave apo shkëmbimin e robërve. Në situatën e rindezuar, hapat operacionalë nuk mund të bëhen kurrsesi publike, sepse do të rrezikohej jeta e atyre personave, duke zbuluar identitetin e tyre”, tha Spiropali.

Bëhet e ditur se midis tyre ka edhe fëmijë shqiptarë të lindur në zonën e konfliktit, por numri i tyre nuk mund të konfirmohet./VOA/

Share This Article