U mbushën plot 30-vjet nga themelimi i gazetës së parë opozitare në Berat, që u censurua menjëherë në ato vite nga qeveria komuniste. Më 8 shkurt 1991,në Berat u botua gazeta “IDEJA KOMBËTARE”, si botim i degës lokale të Partisë Demokratike. Kjo ishte gazeta e dytë opozitare në vend, pas gazetës Rilindja Demokratike që doli në treg në 5 Janar 1991.
Kjo gazetë u hodh në treg nga emra të njohur si: Xhovan Shyti,Valentin Veizi, Xhevair Lleshi, Pëllumb Nako, Simon Vrusho, Llambi Gjikuli, Dhimitër Llazi e Piro Leka.
Gazeta “Ideja Kombëtare” ishte e para gazetë e fjalës së lirë në qytetin e Beratit pas viti 1944, ku shpalosej jo vetëm strategjia e lirisë e demokracisë por nderoheshin edhe traditat e qytetit. Demokratët beratas menduan që gazetës se tyre ti vendosnin të njëjtin emër të cilin Islam Vrioni i vendosi këndit të botimeve të tij mbi fjalën e lirë në vitet ’20.
Gazeta “Ideja Kombëtare” ishte projektuar për të qenë e përjavshme. Sapo doli në qarkullim numri i saj i parë që ishte me format diçka më i madh se “A-4” i sotëm, të 2500 kopjet u shpërndanë brenda një kohë rekord. Kjo bëri që qeveria komuniste, e kryesuar prej Adil Çarçanit, nëpërmjet një urdhri shkresor lëshuar prej Ministrisë së Drejtësisë, ta censuronte gazetën, duke mos e lejuar të dilte më tej, me pretekstin se ende nuk kishte një ligj për nxjerrjen e gazetës dhe botuesit duhet të prisnin derisa ky ligj të dilte.