Udhëtimi qe tepër sekret. Henry Kissinger e arriti nga Pakistani kryeqytetin e vendit komunist që me Shtetet e Bashkuara ndante armikun: Bashkimin Sovjetik. Sekretari i Shtetit u prit nga kryeministri Çu En Lai, udhëtimi përgatiti udhëtimin e presidentit Richard Nixon tek Mao Ce Duni. Dhe historia ndryshoi
«Doktor Kissinger, ka një lajm special që ju përket: ju jeni i humbur». Qe kështu që Çu En Lai priti Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara 50 vite më parë, më 9 korrik 1971 në Pekin. Nj shprehje prej spy story, e përshtatur me rrethanat e këtij takimi të parë sekret. Batuta e kryeministrit komunist u vërejt nga Winston Lord, i riu asistent i Kissinger, që e transkriptoi në një memo prej 110 faqesh e përcaktuar si «Top secret/ sensitive/ exclusively eyes only». Do të qëndronte e mbyllur për 30 vjet në arkivat e Shtëpisë së Bardhë. «La Lettura» e rihap sot, ndërsa politologë nga njëra anë dhe tjetra e Paqësorit studiojnë këtë operacion diplomatik që ka ndryshuar raportet dhe ekuilibrat e forcës midis Perëndimit e Lindjes dhe pyesin nëse çtensionimi midis dy superfuqive mund të ringjallet me goditje të reja prapaskene.
Në Pekin, që ka kultin e historisë, nostalgjia është e fortë, nderon Kissinger me titullin zhongguo renmin de lao pengyou, «mik i vjetër i popullit kinez», dhe e ka pritur e dëgjuar në më shumë se 80 raste pas atij zbarkimi të mbështjellë me mister. Përqafimi spektakolar i 1971 midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës Popullore të Kinës është përkufizuar në mënyra të ndryshme. «Diplomaci trekëndore», «minuet», «taktika e dhelprës përballë asaj të iriqit», edhe «ndërtimi i Frankenstein». Çdo përkufizim pasqyron një pjesë të realitetit, me emrin e koduar të dhënë operacionit: «Marco Polo». Presidenti Richard Nixon kishte vendosur të futej në të çarën e rivalitetit të egër midis Moskës dhe Pekinit duke luajtur me dy porta, duke krijuar marrëdhënie më të ngushta si me Kinën, ashtu edhe me Bashkimin Sovjetik se ato që të dy vendet komuniste kishin midis tyre. Tani është e ligjshme të mendohet edhe se solidariteti i madh edhe personal i lëvduar nga Xi Jinping dhe Vladimir Putin është një replikë teatrale e lojës së vjetër trekëndore dhe se takimi i qershorit në Gjenevë midis Joe Biden dhe carit rus është tentativa e një kundërlëvizjeje amerikane.
Le të kthehemi tek historia. Prej muajsh, nëpërmjet ndërmjetësish të huaj, amerikanë dhe kinezë kishin shkëmbyer sinjale në distancë nëpërmjet kanalesh të gjata të lodhshme: u regjistruan 136 kontakte, nga Parisi në Varshavë, pa asnjë rezultat. «Këtyre tentativave ne u kishim vënë emrin e koduar “Minuet”, pasi njëlloj si një vallëzim në çift, po ecnim me hapa të vegjël, duke kërkuar që të përshtasnim hapa, por ishte e vështirë», kujton profesor Tao Ven Zhao i Akademisë së Shkencave Sociale të Pekinit. Bisedimet eksploruese përplaseshin me njëherë me shkëmbinjtë e deklaratave të ngarkuara me ideologji. Mosbesimi ishte kultivuar prej 20 vjetësh, qysh kur Mao Ce Duni 1 tetorin e 1949 kishte shpallur lindjen e Republikës Popullore dhe Uashingtoni ishte rreshtuar nga ana e Çian Kai Shisë, i fortifikuar në Tajvan. Pastaj 3 vitet e luftës në Kore, kur një armatë me «vullnetarë kinezë» ishte përplasur kundër forcave të Kombeve të Bashkuara të udhëhequra nga amerikanët. Imazhi simbol mbetej ai i Sekretarit të Shtetit amerikan John Foster Dulles, i cili gjatë konferencës së paqes për Korenë më 1954 në Gjenevë, kishte refuzuar t’i jepte dorën Çu En Lait.
Në janarin e 1969, i sapozgjedhur president, Richard Nixon kishte kërkuar ta prishte «izolimin e zemëruar» (siç e quajti). Alexander Haig, që në atë kohë ishte numri dy i National Security Council, e kujton kështu: «Duke dalë nga Salla Ovale, Henry Kissinger më tha: “Al, shefi do të krijojë marrëdhënie me Kinën”. Unë ju përgjigja: “Duhet ta kesh kuptuar keq, ai është luftëtar i Luftës së Ftohtë”. Kissinger ma ktheu: “Mendoj se nuk është në vete”». Nixon ishte i kthjellët. Donte t’i kapte kinezët për të hapur një front tjetër dhe të rrethonte Bashkimin Sovjetik.
Por tentativat e para nuk çuan në asgjë. Për komedi episodi i ndodhur në Varshavë më 1970. Ambasadori amerikan në Poloni ishte ngarkuar t’i dorëzonze një mesazh kinezëve, por asnjë diplomat komunist nuk donte të rrezikonte që të shihej afër me një «armik imperialist». Rasti edhe në një vend të pamundur: një sfilatë mode jugosllave në kryeqytetin polak. Kur amerikanët panë në sallë disa funksionarë kinezë, nisën t’u bëjnë shenja, duke kërkuar t’ju afroheshin. Këta të fundit, që nuk kishin marrë udhëzime nga Pekini, u ngritën dhe ju drejtuan me shpejtësi daljes për të shpëtuar nga sikleti; filloi një ndjekje; në fund një amerikan ju ulëriu në polonisht, gjuha e vetme që kishin të përbashkët: «Jemi nga ambasada e Shteteve të Bashkuara, duam të takojmë ambasadorin tuaj… Presidenti Nixon dëshiron të rifillojë bisedimet».
Edhe Mao kishte kanalet e tij të brishta të komunikimit. Një prej të preferuarve ishte Edgar Snow, gazetari amerikan që në vitin 1936 e kishte intervistuar në Jenan, pika kryesore e Marshimit të Madh midis maleve të Shaanxisë. Ka qenë Snow ai që ka bërë fotografinë e famshme ku udhëheqësi komunist mban veshur një berretë me yllin e kuq. Në vjeshtën e 1970 Snow u ftua në Pekin për ta dëgjuar sërish Timonierin e Madh, por diplomacia kineze e trajtoi atë intervistë ku Mao fliste për dialogun e mundshëm me Nixon si një mesazh të futur në një shishe dhe të hedhur në oqean. Snow ju tha që të mos i fuste në thonjëza fjalët e Kryetari dhe të mos e botonte artkullin përpara 3 muajve. Mao ishte treguar shumë dinak, duke e imagjinuar se gazetari gjithësesi do të pyetej menjëherë në Uashington dhe do të tregonte propozimin për ta pritur Nixon në Qytetin e Ndaluar «si kryetar shteti apo si turist». Nuk ndodhi kështu, pasi Shtëpia e Bardhë e konsideronte si gjysmë komunist. Kur intervista u botua më 30 prill 1971 në revistën «Life», ajo ishte tejkaluar tashmë nga ngjarjet dhe (ndoshta) nga rastësia.
Ishte 4 prilli i 1971 në Nagoya të Japonisë. Kampionati botëror i pingpongut. Pingpongisti amerikan Glenn Cowan, një djalosh hippi i padisiplinuar, kishte humbur autobuzin e ekipit të tij. Po nisej ai kinez dhe ai hipi në të: nuk është sqaruar kurrë nëse gabimisht, për provokim apo sepse ju ofrua një udhëtim. Gjithësesi një gjest kundër protokollit, pasi në ato kohë atletëve të Pekinit ju ndalohej edhe vetëm t’i thonin një fjalë kapitalistëve jenki. Por në autobuz ishte një pingpongist kinez aq shumë i dashur në vendin e tij sa të mundësonte një shkleje të guximshme: Zhuan Ce Dun, tri herë kampion bote, që kishte shpikur një mënyrë revolucionare të mbajtjes së raketës të pingpongut dhe atë ditë shpiku edhe «diplomacinë e pingpongut». Në atë autobuz kishte hipur historia, por në fillim pati ngricë.
«Patën kaluar 10 minuta dhe askush nga ekipi yno nuk kishte guxuar ta shikonte të huajin në fytyrë. Por unë mendova se ishte vetëm një sportist, jo politikan. U ngrita, i fola përkthyesit dhe shkova ta përshëndesja», ka treguar më pas në shumë raste Zhuan. Ajo që kampioni kinez i tha kundërshtarit amerikan Cowan ka hyrë në legjendë: «Edhe pse qeveria e Shteteve të Bashkuara nuk është miqësore ndaj Kinës, amerikanët janë miq të kinezëve. Po të bëj një dhuratë për ta provuar». Kinezi nxorri nga çanta një shall mëndafshi me të stampuar në të një pamje të maleve Huangshan, aty ndodheshin fotoreporterë dhe fotografia e çastit përfundoi nëpër gazeta.
Tregohet se pasi pa këtë fotografi Mao urdhëroi menjëherë të ftohej ekipi amerikan në Kinë. Por gjërat nuk shkuan saktësisht kështu, pasi edhe revolucionari i moshuar ishte i paqartë lidhur me reagimin e masaës kineze. Orët që çuan tek vendimi u treguan vite më vonë nga Vu Xu Jun, infermieria – asistente e Kryetarit. Mao, që tashmë ishte i sëmurë, merrte ilaçe gjumi përpara se të hante. Ato qenë aq të forta sa që ja hiqnin menjëherë kthjelltësinë, prandaj Timonieri kishte vendosur që «pas marrjes së ilaçeve të gjumit, fjalët e tij duhej të injoroheshin dhe të harroheshin».
Në orën 23 të asaj nate të 4 prillit «u shtriq dhe foli, pëshpëriste fjalët dhe mu desh kohë për t’ia kuptuar, donte që t’i telefonoja Çu En Lait që të ftonte lojtarët amerikanë. Isha e shqetësuar dhe e frikësuar, e pyesja nëse fjalët e tij në atë moment vlenin apo jo, pavarësisht urdhërave të tij lidhur me qetësuesit. Ai u duk sikur u përgjum sërish, por pak kohë më pas hapi sytë dhe më tha: “Vogëlushja Vu, pse nuk e bën atë që të kam kërkuar? Bëje shpejt, ndryshe do ta humbasim këtë rast». Topi ishte në fushën amerikane. Pas atij për sportistët, në Uashington mbrriti një mesazh i Çu En Lait që ofrohej për një takim me një funksionar të Shtëpisë së Bardhë. Zgjedhja e negociatorit nuk qe e lehtë. Nixon kishte frikë se mos këshilltari i vidhte skenën. Skartoi zëvendëspresidentin Nelson Rockfeller pasi ishte «amator»; George Bush Sr., atëbotë ambasador në Kombet e Bashkuara, sepse «shumë i dobët dhe pak i sofistikuar». Në fund, duke ngarkuar Kissinger, për të shmangur konflikte të brendshme në administratë dhe pyetje për konsultime të aleatëve, i urdhëroi fshehtësi maksimale.
Më 1 korrik 1971 delegacioni amerikan u nis për një udhëtim të gjatë: «Zgjodhëm të bënim etapa cfilitëse dhe të mërzitshme në kryeqytete të ndryshme, nga Sajgoni në Bangkok, New Delhi dhe në fund Rawalpindi, për të shkurajuar gazetarët», shkruan në kujtimet e tij Kissinger. Vetëm dikatori gjeneral i Pakistanit, Yahya Khan, ishte në dijeni të planit, pasi gëzonte besimin e të dyja palëve dhe bashkëpunimi logjistik i tij ishte vendimtar. Mbrëmjen e 8 korrikut, gjatë një banketi në Pakistan, Kissinger u shtir si i sëmurë, la sallën, hipi në një makinë dhe drejt për në aeroport. Avioni pakistanez e priste në pistë. Në bordin e tij ndodheshin 4 të dërguar kinezë. Kissinger kishte me vete 3 asistentë të rinj. 2 agjentët e Secret Service nuk dinin gjë për destinacionin: «Kur panë kinezët në avion, menduan se po bëhej një tentativë kidnapimi, thuajse u ra infarkt».
Në ngut e sipër u bë një gabim i vetëm: çanta 24 orëshe me ndërresat e Kissinger mbeti në bagazhin e makinës. Për të çtensionuar tensionin e fulturimit, një bashkëpunëtor i tha: «Henry, akoma nuk je ulur ende në tryezë me kinezët dhe je pa këmishë». Tregojnë se asistenti John Holdridge i dha një prej të tijave, që i rrinte e madhe sepse ishte një pëllëmbë më i gjatë, aq sa ta «bënte të dukej si pinguin». Dhe në qafën e saj lexohej etiketa Made in Taiwan. Një shenjë e fatit.
Ja përballë me Çu En Lain. Shënimi i dytë i takimit: «Kryeministri Çu i ofroi cigare mysafirëve. “Askush nuk do? Paskam gjetur një grup joduhanpirësish”». Në dukje, i plotfuqishmi kinez dukej i relaksuar; Kissinger ngutej, pasi mbështetej vetëm mbi një hapësirë 48 orëshe përpara se t’i duhej të rishfaqej në Pakistan pa krijuar dyshime.
Kishte shumë çështje për të diskutuar dhe këtu hyn në lojë «teoria e dhelprës dhe e iriqit», e evokuar nga historiani Niall Ferguson. Dhelpra amerikane kishte shumë objektiva: i pari ishte të organizohej vizita shtetërore e Nixon në Pekin; pastaj duhej të merreshin garancitë kineze për çimpenjimin ushtarak nga Vietnami; të stabilizohej Koreja; të ushtrohej presion ndaj sovjetikëve; të ngadalësohej gara e armatimeve; të mbyllej lufta e pavarësisë së Bangladeshit nga Pakistani. Çu En Lai ishte iriq, donte të fliste për Tajvanin: «Për ju ka një vlerë të paktë strategjike, kurse për Kinën është një plagë e hapur. Po nuk e zgjidhëm shpejt çështjen, do të jetë e kotë të shkohet më tej». Kissinger kërkonte të ruhej ambiguiteti: «Si studiues i historisë mund të parashikoj se evolucioni politik do të ecë paqësisht në drejtimin që kërkoni…». Çuja donte përgjigje më të prera. Në fund amerikani pranoi ta njohë Republikën Popullore të Kinës si qeverinë e vetme legjitime të Kinës, duke e braktisur Tajvanin në fatin e tij «në një horizont kohor të pajtueshëm me nevojat e brendshme e Shteteve të Bashkuara».
Në vijim, Kissinger ka bërë dy vlerësime: «Diplomacia nuk duhet të jetë sentimentale, por e parashikueshme» dhe «Pekini është demonstruar jashtëzakonisht fleksibël lidhur me afatet e zbatimit të parimit e ekzistencës së një Kine të vetme, presidentët amerikanë kanë ndjekur me aftësi një pozicion ekuilibri, duke u afruar me Republikën Popullore të kinës dhe duke ruajtur kushtet për zhvillimin e demokracisë në Taipei».
Tani Xi Jinping thotë se çështja e ribashkimit nuk mund t’u lihet më gjeneratave të ardhshme dhe prej muajsh avionë kinezë kryejnë fluturime të përditshme rreth ishullit, në aksione që duken si prova gjenerale. Më 11 korrik të 1971 Henry Kissinger u kthye fshehurazi në Rawalpindi dhe, duke folur me shokët e tij të udhëtimit, dha provë të asaj mungese sentimentalizmi që predikonte: «Yahya Khan nuk është argëtuar shumë nga masakra e fundit», tha duke ju referuar masakrave bengaleze të kryera nga diktatori pakistanez.
Më 15 korrik u njoftua marrëveshja për vizitën e Nixon në Pekino. Më 21 shkurt të 1972 presidenti i Shteteve të Bashkuara takoi Kryetarin Mao dhe më 28 shkurt u deklarua se ka vetëm një Kinë, duke tokur gotat për «javën që ka ndryshuar botën». Dhelpra e mendonte veten fituese. 50 vite më vonë, Xi Jinping shpall se «Lindja është në ngjitje dhe Perëndimi në rënie». Të vjen në mendje një pranim i fundit i Nixon në një intervistë të vitit 1994: «Doniam t’ia hapnim Kinën botës, por pyes veten mos vallë kemi krijuar ndonjë Frankenstein».