Moti i ashpër dimëror në pjesët qendrore dhe jugore të Shteteve të Bashkuara ka sjellë rekorde të temperaturave të ulëta, duke lënë 21 të vdekur dhe miliona njerëz pa energji elektrike.
Më së shumti ndërprerje të rrymës pati në Teksas, ku katër milionë shtëpi dhe biznese kanë mbetur pa rrymë në temperatura të acarta. Pa rrymë kanë mbetur edhe rreth katër milionë banorë të Meksikës.
Në Karolinën Veriore, tre persona u gjetën të vdekur pasi një tornado goditi një qytezë bregdetare, ndërsa në Teksas, katër anëtarë të një familjeje humbën jetën pasi shtëpia e tyre u kaplua nga zjarri që po e përdornin për t’u ngrohur.
Viktima u shënuan edhe në Louisiana, Kentucky dhe Missouri, shkruan The Guardian.
Në Chicago, trashësia e borës ka arritur në 46 centimetra, duke detyruar autoritetet që ta ndërpresin procesin mësimor për ditën e martë. Reshje bore pati edhe në bregdetin e Gjirit të Meksikës, që ndodh shumë rrallë.
Moti i lig ka mundësi të ndikojë negativisht edhe në fushatën e vaksinimit kundër Covid-19. Administrata e presidentit Joe Biden tha se mund të ketë vonesa në shpërndarjen e vaksinave.
Shumë njerëz kanë mbetur edhe pa ujë për shkak të ngrirjes së gypave të ujësjellësit.