Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vizitoi mbrëmjen e së premtes deputetët dhe qytetarët e shtruar në urgjencën e QSUT, të lënduar nga përplasja me policinë.
Berisha vizitoi deputetët Luçiano Boçi dhe Klevis Balliu, si dhe anëtarin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, shkruan A2.
“Janë përdorur helme dhe substanca që përbëjnë, janë krime në konventa. Për verbimin e protestuesve janë përdorur helmet që përdoren kundër arinjve. Po, janë helme që janë përdorur dhe përdoren kundër arinjve për t’i verbuar, arinjtë. Dhe është ky një akt i paprecedent. Kanë përdorur sasi të mëdha ndaj Luciano Boçit, ndaj Klevis Balliut, Ivi Kasos, kanë përdorur dhe ndaj Flamur Nokës, kanë përdorur dhe Blendi Himçit dhe një seri protestuesish demokratë të cilët janë të shtur këtu. Preng Lala, Zamir Roshi. Kurse ndaj gazetarit, veprimtarit të shquar të shoqërisë civile dhe anëtarit të Këshillit Kombëtar, Aulon Kalaja, kanë përdorur, përveç verbuesit të arinjve, kanë goditur me shkop mbrapa në pjesën oksipitale, një pjesë jashtëzakonisht delikate për jetën e njeriut. Janë përdorur bomba, u janë hedhur protestuesve te këmbët bomba, granata zhurmuese, me copa të të cilëve janë plagosur, kanë marrë plagë të shumta në këmbë, dhe kanë hedhur shishe molotov mbi protestuesit. Të dokumentuara të gjitha këto”, tha Berisha.

