Në një intervistë që ka dhënë për ‘Oranews”, presidenti i republikës, Ilir Meta i pyetur nëse vendi ynë duhet të marrë vaksinën nga Rusia apo Kina, u shpreh se kjo ka të bëjë me çështjen e sigurisë dhe se kjo gjë ofrohet nga vendet e BE-së dhe SHBA-ve.
Kreu i shtetit ka thënë se vaksinat mund të vijnë, por mund të kenë efekte të ndryshme që mund t’u kushtojnë jetën qyetarëve, prandaj sipas tij në lidhje me vaksinat duhet të tregohet tranparencë.
“Qeveria jonë duhet të shikojë gjithmonë mundësinë e sigurisë së vaksinave, sepse kjo është kryesorja. Në këtë drejtim edhe transparenca është shumë e rëndësishme, edhe për ato vaksina që kanë ardhur. Për të pirë një Coca-Cola nuk lejohet të dalë në treg, nëse në radhë të parë nuk jepen të dhënat se kur është prodhuar, datën e skadimit, vendi i origjinës, etj., sepse dikush mund të helmohet dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për jetën e qytetarit. Vaksinat mund të vijnë, por ato mund të kenë efekte të tjera, që mund t’i kushtojnë jetën qytetarit, ose mund të mos kenë fare efekt dhe qytetari mund ta pësojë nga Covidi në të ardhmen pasi mund të mos mbrohet më. Siguria është e para dhe sigurisht sigurinë e vaksinës në radhë të parë e garantojnë institucionet europiane dhe institucionet e vendeve shumë të besueshme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe vende të tjera.”- ka thënë Meta.