Anton Quni nga LDK-ja ka deklaruar se do jetë kandidat për postin e kryetarit të LDK-së, raporton Express.
Quni në emisionin Pressing të T7, ka treguar rrjedhën e ngjarjeve prej kur Osmani doli kundër qëndrimeve të Kyresisë së LDK-së e deri në largimin e saj nga dy pozita brenda partisë.
Quni tha se gjithçka kishte filluar kur ajo ishte bërë më e zëshmja brenda takimeve të Kryesisë së LDK-së, që të mos transformohej qeveria kur qeverisej nga koaliconi VV-LDK.
“Mund të them që ajo ka qenë më e zëshmja brenda takimeve të Kryesisë së LDK’së, ku duhej ta gjenim mënyrën për të mos ardhur deri te transformimi i qeverisë. Ajo nuk ka ndërruar qëndrim”, është shprehur Quni.
Tutje, ai tha se Osmani filloi të identifikohet si personalitet që fillon të krijojë favore për VV-në. Si rezultat, Kryesia e LDK’së u sfidua që Osmani të largohet ose jo nga pozita e nënkryetares dhe anëtarës së Kryesisë.
“Ajo më këmbëngulësinë e saj, ajo thjesht, filloi të identifikohej si personalitet që tani fillon të krijojë favore për Lëvizjen Vetëvendosje. Pastaj filluan zëra brenda Kryesisë ku thuhej se Osmani është kundër interesave të kryesisë së LDK-së, derisa ne u sfiduam si anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm për të votuar për lirim e saj nga përgjegjësitë që i ka bartur në LDK”, ka thënë Quni.
Quni insistoi se nuk ishte përjashtim nga LDK-ja, vec një shkarkim nga dy pozita brenda LDK’së. Megjithatë, Quni tha se ka votuar kundër që Osmani të lirohet nga këto pozita.
“Nuk ishte përjashtim, ajo ishte nënkryetare dhe anëtare e Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm në LDK. Nuk më kujtohet saktë formulimi por bëhej fjalë për nënkryetare dhe anëtare e Kryesisë. Edhe këtë hap e kam parë të gabueshëm që do të krijojë pasoja dhe prandaj nuk kam votuar që Osmani të largohet. Kam votuar kundër”, shtoi Quni.
Për largimin e Osmanit nga LDK-ja, Quni u pyet nëse ‘ia ka lënë shenjë’ partisë.
Quni tha se “Jo që na ka lënë shenjë, por na ka përgjysmuar”.