Ditën e sotme ka nisur procesi i vaksinimit edhe në qytetin e Elbasanit. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ditën e sotme nga Elbasani tha se brenda këtyre dy muajve do të përfundojë procesi i vaksinimit për bluzat e bardha.
Ndër të tjera Manastirliu u shpreh se vaksinimi do të vijojë me grupet prioritare për t’u shtrirë më pas tek e gjithë popullsia. Ajo shtoi se qeveria është duke përmbushur ende edhe boshllëqet e krijuara për shkak të qeverisjes së mbrapshtë që ka sjellë që për katër vite të mos dalin mjekë specialist.
“Sot kemi filluar me stafin mjekë infermierë të shërbimeve direkte siç janë urgjencat e spitalit të Elbasanit për t’u shtrirë më pas edhe në spitalin e Librazhdit dhe Prrenjasit. Përgjatë muajit shkurt dhe mars do të përfundojnë vaksininim për bluzat e bardha. Kemi filluar punimet për ndërtimin e pediatrisë së re në Elbasan.
Jam shumë e kënaqur që në Elbasan shtohen investimet. Nga një godinë e rrënuar urgjenca ofron një shërbim dinjitoz për të gjithë qarkun. Investimet në Elbasan do të vazhdojnë. Standardet e kujdesit tonë shëndetësor janë të njëjta qoftë në fshat apo qytet. Do të vijojmë vaksinimin me grupet prioritare që janë më të ekspozuar ndaj rasteve me COVID. Ka disa elementë.
Janë materialet e mbrojtjes personale që nuk kanë munguar përgjatë këtij viti. Ne jemi duke plotësuar të gjitha boshllëqet e krijuar për shkak të politikës së gabuar që I ka kushtuar vendit shumë se për 4 vite nuk dolën mjekë specialistë. Ne prej disa vitesh kemi hapur kuotat e specializimit. Jemi gati edhe në spitalin e Elbasanit, pavijoni COVID është gati dhe po ofron shërbime për të dyshuarit dhe të shëruarit nga COVID. Ne kemi një skenar që parashikon se në rast fluksi të hapen pavijonet”, u shpreh Manastirliu.