Vrasja e çftit të bashkëshortëve në Balldren, shpallen në kërkim tre autorët e dyshuar, ja motivi i ngjarjes

albnews
By
4 Min Read

Policia ka shpallur në kërkim tre persona në lidhje me atentatin e ndodhur dje në Balldren, ku u vranë në makinën e tyre çifti i bashkëshortëve Kreshnik dhe Gentiana Mujeci.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Arben Nasufi, bëri me dije përmes një konference për mediat, se tre autorët e dyshuar janë identifikuar, dhe janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për shtetasit A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë. 

Po ashtu ai u shpreh se dyshohet që motivi i ngjarjes të ketë qenë hakmarrja. Sipas policisë dyshohet se një automjet tip “Audi” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjet e shtetasit Kreshnik Mujeci, dhe një tjetër automjet “Wolkswagen” i ka prerë rrugën, dhe prej andej është qëlluar me breshëri armësh në drejtim të Kreshnik dhe Gentiana Mujecit. 

Në deklaratën për media thuhet:

“Më datë 26.04.2026, rreth orës 14:50, në rrugën “Balldren-Torovicë”, nga shtetas të paidentifikuar është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi Kreshnik Mujeci.   Me marrjen e njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe ato të emergjencës.   Për të hetuar dhe zbardhur ngjarjen, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me specialistë të Hetimit të Krimeve të Rënda të DVP Lezhë, Departamentit të Policisë Kriminale, si dhe ekspertët më të mirë kriminalistë, të cilët në drejtimin e Prokurorisë, kanë vijuar intensivisht veprimet hetimore në vendin e ngjarjes dhe një sërë veprimesh të tjera me metoda proaktive, në funksion të zbardhjes dhe dokumentimit të plotë ligjor të saj. 

Hetimet kanë vijuar me këqyrjen  dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike mbi intinerarin e lëvizjeve të viktimave dhe autorëve, analizimin e çdo prove materiale dhe si rezultat është identifikuar njëri prej automjeteve të përdorura nga autorët, i markës “Audi A4”.   Në vijim të hetimeve të thelluara dhe profesionale, analizimit të çdo prove që lidhej me ngjarjen, u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar, konkretisht i shtetasve:

-A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, banues në Lezhë. 

Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip “Audi A4” ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër, tip “Volkswagen”, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje.   Hetimet vazhdojnë në mënyre intensive, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.  Përsa i përket autorëve, pas identifikimit të tyre, nga ana e strukturave policore janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera,  por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim.

 Operacioni vijon në terren, ku janë përshirë Forcat Speciale “RENEA”, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me qëllim lokalizmin dhe kapjen e tyre.  Gjithashtu, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve dhe të armëve të zjarrit që janë përdorur për të kryer vrasjen.  Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë është maksimalisht e angazhuar për  garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe në këtë kuadër fton qytetarët, që të besojnë dhe të mbështesin më shumë strukturat policore, duke denoncuar çdo rast të paligjshmërisë”.

Share This Article