“Shqipëria dhe Italia janë së bashku në një rrugëtim bashkëpunimi edhe që të kemi akses në planin e madh të investimeve prej 28 miliardë euro që Europa ka për vendet e Ballkanit”, deklaroi sot nga Bari, kryeministri Edi Rama.
Në një prononcim për mediet pas ceremonisë së organizuar në bashkinë e Barit, Itali, kryeministri Rama iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mbi fokusin e diskutimit me ministrin Di Maio, lidhur me bashkëpunimin dypalësh.
“Folëm për këtë, por edhe për shumë gjëra të tjera sepse jemi së bashku në një rrugëtim bashkëpunimi edhe që të futemi, të kemi akses në planin e madh të investimeve që Europa ka për vendet e Ballkanit”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama theksoi se janë “rreth 28 miliardë dhe ne kemi vërtet nevojë për njohjen e strukturave të ekselencës italiane”.
“Kemi nevojë për njohuritë e strukturave më të mira, qoftë sa i takon infrastrukturës, energjisë, hekurudhave dhe për Italinë është një mundësi e rëndësishme. Për këtë jemi duke punuar”, tha Rama.
Por, ai theksoi se “përmendëm edhe këto projekte”. “Tani kemi një komitet bashkëpunimi pikërisht për këtë midis dy qeverive dhe besoj se nga muaji maj duhet të shohim se në çfarë pike kemi arritur dhe të vazhdojmë të bashkëpunojmë”, tha ai./ATSH/