Elder dhe Natale-Hjorth ishin në Romë për pushime verore dhe kishin tentuar të blinin drogë nga një diler vendës. Ata kanë dëshmuar para gjykatës se u mashtruan, por ia dolën ta kapnin çantën me drogë nga shitësi që tentoi të ikte
Një prokuror italian të shtunën ka kërkuar dënime me burgim të përjetshëm ndaj dy të rinjve amerikanë që po gjykohen nën akuzat për vrasje, kur njëri prej tyre e theri për vdekje policin që zbuloi shitjen e drogës në Romë.
Finnegan Lee Elder, siç raportoi agjencia e lajmeve “Reuters”, ishte 19- vjeçar në kohën e vrasjes. Ai ka pranuar vrasjen e Mario Cerciello Regas në orët e para të 26 korrikut 2019, teksa shoku i tij, Gabriel Christian Natale-Hjorth, atëherë 18-vjeçar, po kacafytej me një tjetër polic.
Nën ligjin italian, të gjithë ata që marrin pjesë, edhe indirekt, në një vrasje, mund të akuzohen për vrasje.
Dy amerikanët nga California kanë dëshmuar se nuk e dinin që Cerciello dhe kolegu i tij, Andrea Varriale, ishin zyrtarë policorë, duke u arsyetuar para gjykatës se asnjëri nuk janë identifikuar si policë.
Varriale e ka mohuar këtë dëshmi, duke thënë se dy të akuzuarve ua kishte prezantuar distinktivin. Ai i Cerciellos nuk ishte gjetur në vendin e krimit.
Elder dhe Natale-Hjorth ishin në Romë për pushime verore dhe kishin tentuar të blinin drogë nga një diler vendës. Ata kanë dëshmuar para gjykatës se u mashtruan, por ia dolën ta kapnin çantën me drogë nga shitësi që tentoi të ikte.
Ata kanë thënë se ishin marrë vesh që përsëri të takoheshin me dilerin me qëllim që ai t’ua kthente paratë në shkëmbim të çantës, por në vend të këtij skenari ishin paraqitur dy policët. Asnjëri nuk ishte në uniformë dhe Elder ka dëshmuar se menjëherë ishin sulmuar nga policët, duke i detyruar amerikanët që të vetëmbroheshin.
“Më kapi paniku dhe besoja se ai donte të më vriste”, ka thënë Elder në seancën e kaluar gjyqësore.
Policia ka thënë se Cerciello, 35-vjeçar, ishte i paarmatosur dhe u ther plot 11 herë nga Elderi, që mbante një thikë 18 centimetra të gjatë.
Mediat italiane kanë raportuar se dileri ishte një informator që kishte raportuar plaçkitjen e çantës dhe kishte kërkuar intervenimin e policisë.
Në një seancë gjyqësore që u mbajt në shtatorin e vitit të kaluar, Elder ka kërkuar falje për vrasjen.
Natale-Hjorth fillimisht i kishte thënë policisë se nuk ishte i përfshirë në vrasje dhe se nuk e dinte që shoku mbante thikën. Sidoqoftë, gjurmët e gishtërinjve të tij janë zbuluar në një pjesë të dhomës së hotelit, në të cilën e kishin fshehur thikën.
Avokatët e Elderit dhe Natale-Hjorth ende nuk e kanë paraqitur mbrojtjen e tyre. Gjykata pritet të marrë një vendim në muajin prill.