Presidenti Ilir Meta u shpreh sot në një intervistë televizive se Demokracinë në Shqipëri e ka kapur koncepti i partisë-shtet përmes kapjes së të gjitha institucioneve.
Prandaj, theksoi ai “janë vendimtare zgjedhjet e 25 prillit për një restart të demokracisë, të shtetit të së drejtës, të garantimit të të drejtave kushtetuese që cenohen çdo ditë”.
Presidenti Meta u shpreh se nuk duhet lejuar që autoritarizmi, sipas tij, të bëjë një hap përpara sepse një popull që fle në demokraci, zgjohet në diktaturë.
“Që të parandalojmë një gjë të tillë duhet të mbrojmë sistemin duke reaguar sa herë preket e drejta dhe liria e çdo qytetari”, tha ai.
Presidenti Meta u shpreh se ai ka fituar në çdo betejë me mazhorancën dhe këtë e ka konfirmuar edhe Komisioni i Venecias.
“Nëse do kishim patur Reformë dhe jo Ramaformë në Drejtësi, autorët e dosjeve të Shijakut dhe të Dibrës nuk do të ishin sot kandidatë për deputetë në Vlorë, në Tiranë, në Durrës apo edhe në Dibër”, tha Meta.
Presidenti Meta theksoi se nuk pret “të kemi zgjedhje të standardeve daneze në një vend ku qeveria prish marrëveshjen e 5 Qershorit dhe ndryshon Kushtetutën me një Kuvend që të gjithë shqiptarët e dinë se çfarë përfaqëson”.
“Janë zgjedhjet më të rëndësishme në 100 vitet që vijnë, që nga Kongresi i Lushnjës”, tha Meta.
Duke vijuar me situatën ekonomike dhe atë të pandemisë, Meta theksoi se “si mundet të kesh prioritet në periudhë pandemie të ndërtosh tunelin e Llogorasë, dhe jo si të rritësh ekonominë apo bujqësinë, të luftosh varfërinë dhe të ndalësh shpopullimin”.
“Shikoni sa kemi dhënë ne për pandeminë, shikoni sa kanë dhënë vendet e tjera, sepse ne kemi investuar vetëm për zhvillimin e PPP-së”, tha ai.