Shkruar nga Patrick Wintour
Në një botë ku besueshmëria e Uashingtonit nuk merret më si e mirëqenë dhe ku partneriteti me Pekinin nuk mund të përjashtohet, rendi global po hyn në një fazë të re.
Ekziston një optimizëm i kujdesshëm se “një shumicë multilateralistësh” mund të arrijë të riformësojë në mënyrë të qëndrueshme rendin botëror. Kështu argumenton Patrick Wintour, editor diplomatik i The Guardian, në një analizë mbi zhvillimet e fundit gjeopolitike.
Ambasadori i Brazilit në Londër, Antonio de Aguiar Patriota, përshkroi së fundmi një botë të përballur me ngrohje globale, degradim mjedisor, konflikte të shumta, rritje të buxheteve ushtarake, shpërfillje të së drejtës ndërkombëtare, tronditje të tregtisë, dobësim të demokracisë dhe zhvillime teknologjike që ngjallin njëkohësisht entuziazëm dhe frikë.
Megjithatë, sipas tij, nën sipërfaqe “diçka po ndodh, diçka po lëviz”. Patriot argumenton se në “veriun global” po krijohet një ndarje e re: nga njëra anë një superfuqi që vepron në mënyrë të njëanshme dhe, nga ana tjetër, një shumicë shtetesh që mbështesin bashkëpunimin ndërkombëtar.
“Lufta shumë e papëlqyer dhe e paligjshme në Iran po bëhet një shembull i qartë i kaosit dhe paqëndrueshmërisë që prodhon unilateralizmi”, tha ai. Sipas tij, kjo po tregon se “bota nuk do të bëhet më unipolare”.
Dobësimi i besimit te SHBA
Sipas analizës së Patrick Wintour në The Guardian, ideja se periudha e unilateralizmit amerikan mund të jetë drejt fundit po fiton terren. Vendet perëndimore po rishikojnë varësinë e tyre nga SHBA-ja dhe po kërkojnë partneritete më të ndryshme.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez, gjatë një fjalimi në Kinë, tha se ajo që po ndodh sot “nuk është transferim hegjemonie, por shumëzim i poleve jo vetëm të pushtetit, por edhe të mirëqenies”. Ai e cilësoi këtë zhvillim si pozitiv, duke theksuar se progresi po shfaqet njëkohësisht në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine.
Edhe në Evropë, ideja se dominimi amerikan po dobësohet nuk kufizohet vetëm te e majta politike. Ajo po reflektohet në Paris, Bruksel, Varshavë dhe Berlin. Kancelari gjerman Friedrich Merz ka krahasuar vendimin amerikan për sulmin ndaj Iranit me gabimet strategjike të SHBA-së në Irak dhe Afganistan.
Evropa kërkon më shumë pavarësi në mbrojtje
Në vend që të presin një ndryshim qëndrimi nga Uashingtoni, shumë vende evropiane po pranojnë nevojën për të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se vënia e vazhdueshme në dyshim e angazhimit amerikan ndaj NATO-s rrezikon ta zbrazë aleancën nga përmbajtja.
Në Britani, edhe Komisioni i Dhomës së Lordëve për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mbrojtjen ka paralajmëruar se niveli aktual i varësisë britanike nga SHBA-ja nuk është më i qëndrueshëm. Sipas raportit, Londra nuk mund ta marrë më si të mirëqenë mbështetjen amerikane për sigurinë në Evropën Lindore dhe në veriun e kontinentit.
Zgjidhja, sipas këtij këndvështrimi, është që Britania dhe Evropa të marrin më shumë rol drejtues brenda NATO.
Aleanca të reja jashtë Uashingtonit
Në skenën globale po rriten kërkesat që fuqitë perëndimore të heqin dorë nga përfaqësimi i tepërt në institucionet ndërkombëtare, në favor të vendeve të jugut global.
Kryeministri kanadez Mark Carney ka propozuar një grupim të fuqive të mesme. Kanadaja ka nënshkruar më shumë se 20 marrëveshje ekonomike dhe sigurie, përfshirë edhe me Kinën, për të zgjeruar eksportet jashtë varësisë tradicionale nga SHBA-ja.
Nga këndvështrimi brazilian, po krijohen “koalicione të përgjegjshme”, të bazuara në bashkëpunim mes rajoneve, kulturave dhe sistemeve të ndryshme politike.
Ukraina dhe mbrojtja evropiane
Ideja e një Bashkimi Evropian të Mbrojtjes, që do të plotësonte NATO-n, po diskutohet gjithnjë e më shpesh në Bruksel. Një strukturë e tillë do të përfshinte vendet e BE-së, por edhe Britaninë, Norvegjinë dhe Ukrainën.
Analisti John Lough thotë se Evropa nuk mund të ndërtojë një sistem të besueshëm mbrojtjeje kundër Rusisë pa integruar Ukrainën. Sipas tij, Ukraina ka ushtrinë më të madhe konvencionale në Evropë dhe përvojë të drejtpërdrejtë në luftë me Rusinë.
Ai thekson gjithashtu se Ukraina ka zhvilluar një industri të aftë dhe inovative të mbrojtjes, sidomos në fushën e dronëve.
Kriza e rendit ndërkombëtar
Transformimi nuk lidhet vetëm me sigurinë evropiane. Ai prek edhe rendin ndërkombëtar në tërësi.
Tom Fletcher, drejtues i programit humanitar të OKB-së, paralajmëroi se “rendi ndërkombëtar nuk është në prag të kolapsit, ai tashmë ka kolapsuar”. Sipas tij, bota po kalon një krizë reale dhe jo një provë.
Sekretarja e përgjithshme e Amnesty International, Agnès Callamard, e cilësoi vitin 2025 si “vitin e grabitqarëve”, duke përmendur shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Gaza, Ukrainë, Iran dhe vende të tjera.
Mark Leonard, drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, argumenton se bota ka hyrë në një “epokë çrregullimi”. Sipas tij, problemi nuk është thjesht se rregullat po shkelen, por se ato po injorohen si të parëndësishme.
Një mundësi për reformë globale
Megjithëse fuqitë që mbështesin veprime të njëanshme ruajnë ende ndikim të madh, Patriot vlerëson se ato po bëhen më të izoluara dhe po e kanë më të vështirë të imponojnë vullnetin e tyre.
Një sekretar i ri i përgjithshëm i OKB-së mund të ketë mundësinë të shtyjë për reformimin e Këshillit të Sigurimit, i cili mbetet i dominuar nga fituesit e Luftës së Dytë Botërore: Kina, Franca, Rusia, Britania dhe SHBA-ja.
Në një botë ku besueshmëria e Uashingtonit nuk merret më si e mirëqenë dhe ku partneriteti me Pekinin nuk mund të përjashtohet, rendi global po hyn në një fazë të re.
Sipas analizës së The Guardian, një dështim amerikan në Iran mund të mos ketë simbolikën vizuale të tërheqjes nga Saigoni apo Kabuli, por pasojat e tij mund të jenë po aq të gjera për politikën globale./ Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”

