Zëdhënësja e OBSH-së Margaret Harris ka thënë se Astra Zeneca është një vaksinë efektive dhe vendet nuk duhet ta ndalojnë përdorimin e saj nga frika se shkakton efekte anësore.
“Ne duhet të sigurohemi gjithmonë që të kemi të dhëna të sigurta kur aprovojmë një vaksinë, dhe ka raste kur të dhënat duhet t’i rishikojmë. Por, Astra Zeneca nuk ka pasur të dhëna problematike. Madje, ajo ka treguar se është një vaksinë e shkëlqyer”.
Po ashtu, Harris ka shtuar se po kryhet një hetim në lidhje me rastet e konstatuara me mpiksje gjaku, por deri më tani sipas zëdhënëses nuk ka asnjë fakt shkencor që vërteton se vaksina shkakton probleme shëndetësore.
Ndërkaq, Bullgaria është vendi i fundit që ka pezulluar vaksinën e AstraZeneca, pas Danimarkës, Islandës, Italisë, Rumanisë, Austrisë dhe Norvegjisë. Deri më tani, rreth 5 milionë europianë kanë marrë dozat e para të AstraZeneca-s, ndërsa në Britaninë e Madhe janë 11 milion të vaksinuarit me dozën e parë.
Vende si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Australia dhe Meksika, kanë thënë se janë duke vazhduar me përdorimin e vaksinës, ndryshe nga vendet që e kanë pezulluar përdorimin e Astra Zenecas për shkak të frikës së kolateraleve të rënda.