Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar nga Elbasani se incidenti i regjistruar sot në festimet e Ditës së Verës u krijua nga ata që kanë mbajtur vendin në vendnumëro për 8 vite.
Sipas Bashës, gjatë momentin të incidentit ai ndodhej në një takim me familje Elbasanase.
“Sot është dita e verës, është dita e qytetarisë së Elbasanit. Në këtë ditë dua t’i uroj të gjithë qytetarëve të Elbasanit dhe jo vetëm gëzuar ditën e Verës. Unë isha në një takim me familjet e Elbasanit dhe po diskutonim dhe për bukurinë dhe shpresën që dhuron dita e verës, dita kur pranvera e mposht dimrin, kur e mira e mposht të keqen, kur shpresa mposht frikën”, tha Basha.
Kreu i PD deklaroi për mediet se pati provokime.
“Më thanë se pati një incident. E kemi ditë feste me qytetarët e Elbasanit. Shqipëria dhe Elbasani janë ndalur shumë këto vite. Kjo është ditë feste, dhe është dita kur Shqipëria nuk duhet që të ndalojë. Ky vend është mbajtur në vendnumëro nga ato që ushtruan dhunë sot”,- tha Basha.
“Ishte tentativa e tyre për ta prishur festën e qytetit të Elbasanit. Qytetarët mezi presin ditën e ndryshimit. Mos guxo të kërcënosh qytetarët e Elbasanit me banditët. Kjo është një ditë e shpresës, ku vera e mposht dimrin. Nuk e dija që edhe kryeministri kishte të njëjtin orar. Unë jam shoqëruar nga familjet intelektuale të Elbasanit. Rama shoqërohej nga banda. Thirrja ime është kundër dhunës. Dhunën e provokojnë ata që e kanë mbajtur Elbasanin 8 vite peng”- tha Basha.