Te përfaqësuesja e Kosovës në futboll kanë mundur të merrnin sinjale të ndryshme të enjten mbrëma. Lojtarët e Kosovës kanë kuptuar se ndaj Spanjës mund të merren pikë, por edhe se të gjitha përfaqësueset e grupit janë të forta.
Kosova ishte e vetmja që të enjten mbrëma nuk luajti ndeshje në kuadër të grupit B të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.
Kundërshtarja e ardhshme e Kosovës, Suedia, fitoi 1:0 ndaj Gjeorgjisë, ndërsa favoritja e madhe e grupit, Spanja, arriti vetëm barazim në shtëpi ndaj Greqisë. Ndeshja e luajtur në Granada përfundoi 1:1.
Kosova të dielën luan ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa të mërkurën e ardhshme në Sevilla takohet me Spanjën.
Viktor Claesson shënoi golin e vetëm për Suedinë në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë. Ai realizoi në minutën e 35-të, pas asistimit të Zlatan Ibrahimoviqit.
Superylli i Milanit, Ibrahimoviq, është kthyer te Suedia, prej të cilës përfaqësuese ishte larguar pas “Euro 2016”. Dhe kthimi i tij ishte i mbarë. Falë fitores, Suedia udhëheq në grup me 3 pikë. Por ndeshja në Solna ka dëshmuar se Gjeorgjia nuk është rivale që nuk duhet llogaritur nga Kosova. Suedia është vënë në presion nga gjeorgjianët në fazën finale të ndeshjes dhe është dashur një pritje e madhe e portierit për të ruajtur epërsinë prej 1:0.
Ndërkohë Spanja, e mbushur me yje, nuk ia ka dalë ta mposhtë Greqinë. Ndeshja në Granada u mbyll 1:1. Alvaro Morata kaloi në epërsi spanjollët në minutën e 33-të, por grekët reaguan duke barazuar shifrat në minutën e 57-të. Anastasios Bakasetas realizoi penallti për rezultatin përfundimtar.
Kosova ka dëshmuar në Ligën e Kombeve se mund të përballet me Greqinë. Por barazimi i spanjollëve mund të mos jetë lajm shumë i mirë për “dardanët”. Tani spanjollët do të mundohen të reagojnë në dy ndeshjet e ardhshme.
“Ne e kemi ditur se si Greqia do të mundohet të luajë ndaj nesh sonte. Secila përfaqësuese që di si të mbrohet mund të bëjë gjërat e vështira. Ne duhet të nxjerrim gjërat pozitive nga kjo ndeshje dhe të vazhdojmë të punojmë fort. Do të kemi shumë ndeshje të tjera me rivalë që do të mundohen të na e bëjnë këtë. Në fakt Gjeorgjia luan në stil të njëjtë. Ne duhet të mësohemi që të kemi momente të komplikuara dhe të nxjerrim më të mirën prej tyre”, ka thënë sulmuesi i Spanjës, Alvaro Morata.
“Është ëndërr e çdo djaloshi që të luajë për vendin e tij. Por unë do të dëshiroja që debutimi im të shoqërohet me fitore. Nuk kam gjetur shumë hapësirë kur jam aktivizuar dhe nuk kam mundur t’i ndryshoja gjërat”, ka thënë Pedri, që është aktivizuar në minutën e 64-t.
Mesfushori Marcos Llorente ka theksuar se Spanja nuk do ta ndryshojë stilin e lojës, por vetëm do të përmirësojë disa gjëra.
“Me përmirësimet që do të bëjmë jam i sigurt se do të ofrojmë paraqitje të mira”, ka thënë Llorente.
“Nuk më pëlqen rezultati dhe nuk ishim të inspiruar. Por më kanë pëlqyer përkushtimi dhe tempi i lojës që skuadra është munduar t’i ketë. Por sa herë që jemi afruar me zonën e grekëve, na kanë munguar mprehtësia dhe efikasiteti”, ka thënë selektori i Spanjës, Luis Enrique.