Çelja e fluturimeve direkte Dubai – Tiranë – Dubai dëshmon interesin e madh për Shqipërinë të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau një video nga nisja e fluturimeve direkte, e cila sipas tij, “u mundësuan falë bujës së angazhimit të Emaar Group për investimin në ndërtimin e Portit të madh Turistik të Durrësit”.
“Mirëmëngjes dhe me çeljen e fluturimeve Dubai – Tiranë – Dubai, që u mundësuan falë bujës së angazhimit të Emaar Group për investimin në ndërtimin e Portit të madh Turistik të Durrësit, çka ka ngjallur një interes të madh për Shqipërinë në Emiratet e Bashkuara, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Kompania “flydubai” do të kryejë fluturimet dy herë në javë për në Tiranë, duke u bërë linja e parë ajrore me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe që ofron fluturime direkte në këtë itinerar.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi të dielën nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku dhe u zhvillua një ceremoni me rastin e fluturimit të parë të kësaj kompanie në Shqipëri, se kjo është një ditë shumë e rëndësishme dhe një kapitull të ri për aeroportin shqiptar në përgjithësi, dhe për fluturimet shqiptare nga Dubai dhe vendet e largëta.
“Është një ngjarje shumë e rëndësishme për fluturimet shqiptare, pasi realisht këtë vit me daljen nga pandemia do të kemi nevojë për tregje të reja. Dubai përfaqëson një pikë shumë të rëndësishme të marrëdhënieve të turizmit shqiptar me botën aziatike dhe arabe dhe po ashtu do të kemi të gjitha mundësitë që nëpërmjet dy fluturimeve në javë, të kemi komunikim me turistët e një tregu shumë të rëndësishëm për ne”, tha Klosi.