Shqipëria renditet në vendin e 25 në botë nga 156 shtete, në Indeksin e hendekut Gjinor të vitit 2021, të publikuar nga Forumi Ekonomik Global, duke hyrë ndër vendet ku diferenca mes femrave dhe meshkujve është më e ulët dhe shumë më lart se shtetet e rajonit. Hendeku gjinor në Shqipëri është më i ulët edhe se në shtete të zhvilluara të Europës, si Italia, Spanja, apo Danimarka. Në rajon, jemi të dytët pas Serbisë, që renditet e 19-a.
Gjithsesi, në raport me vitin e mëparshëm, Shqipëria ka humbur pesë pozicione.
Shqipëria, deri tani, ka mbyllur 77% të hendekut gjinor, nga 89% që e ka shteti me më pak diferenca gjinore në botë, që është Islanda dhe 68% që është mesatarja globale.
Gratë shqiptare renditen në vendin e 35 për pjesëmarrjen ekonomike dhe mundësitë, në vendin e 42 për arritjet në edukim.
Shqipëria e ka treguesin më të mirë në fuqizimin politik, ku renditet e 30-a.
Vendi ynë ka renditje më të përkeqësuar për shëndetin dhe mbijetesën, në vend të 147.
Në vend të parë në botë për hendek të ulët gjinor mes femrave dhe meshkujve renditen Islanda, Finlanda, Norvegjia, Zelanda e re, të cilat kanë edhe gra si kryeministre.
Në rajon, pas Shqipërisë renditen Mali i Zi (48), Serbia (54), Maqedonia e Veriut (73), Bosnjë-Hercegovina (76), ndërsa Kosova nuk është e përfshirë në këtë renditje.
Këtë vit, indeksi i Hendekut Gjinor Global rendit 156 vende, duke ofruar një mekanizëm për krahasimin ndër-vendeve si dhe për të dhënë përparësi politikave më efektive të nevojshme për të mbyllur boshllëqet gjinore. Metodologjia e indeksit ka mbetur e qëndrueshme që nga konceptimi i tij origjinal në 2006, duke siguruar një bazë për analiza të forta ndër-vendore dhe seri kohore. Indeksi Global i Hendekut Gjinor mat rezultatet në një shkallë nga 0 në 100, përmes rezultateve të të cilës mund të krahasohet dhe ecuria e mbylljes së hendekut.
Forumi ekonomik thekson se do të duhen 135.6 vjet për të mbyllur hendekun gjinor në të gjithë botën.
Në rang global Hendeku gjinor në Fuqizimin Politik mbetet më i madhi nga katër treguesit. Në të 156 vendet e mbuluara nga indeksi, gratë përfaqësojnë vetëm 26.1% të rreth 35.500 vendeve në parlament dhe vetëm 22.6% të mbi 3,400 ministrave në të gjithë botën. Në 81 vende, nuk ka qenë kurrë një grua kryetare e shtetit, deri në 15 janari 2021. Me nivelin aktual të progresit, Forumi Ekonomik Botëror vlerëson se do të duhen 145.5 vjet për të arritur barazinë gjinore në politikë.
Islanda është shteti që ka pabarazinë më të ulët gjinore në botë. Deri tani, ky shtet ka mbyllur 89.2% të hendekut gjinor./Monitor/