Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një takim me banorët e Peqinit ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryeministrit Edi Rama dje për vendimin për të marrë punëtor nga jashtë vendit.
Ajo tha se Rama ka urrejtje për qytetarët e tij dhe se do të që zhdukë historinë.
“Problematikat që kanë sot qytetarët janë të jashtëzakonshme.
Kemi një Kryeministër i cili ka një urrejtje patologjike për njerëzit e tij, se mjafton të dëgjosh dy deklarata absurde, kriminale, sikurse është e para që kush nuk me voton mua, kush nuk më përkrah mua nuk bën vaksinën, sikur i ka vaksinat e veta ky.
Ky edhe mjek, edhe infermier, edhe farmacist, të gjitha i bën ky dhe bën një kërcënim të tillë haptas, që për hir të së vërtetës, po të kishte një sistem drejtësie të pavarur dhe të pakapur, gjëja e parë që do të bënte do të ishte jo vetëm largimi nga detyra, por do ta merrte dhe të pandehur për shantazh dhe për gjenocid, sepse në një farë mënyre ky është një gjenocid politik. “
Në fjalimin e saj, Kryemadhi u shpreh se kryeministri ndjen neveri për çdo gje që është shqip.
“Dhe nga ana tjetër, absurditeti tjetër pastaj që ky njeri nuk i konsideron më qytetarët e tij, i zëvendëson dhe pa pikë turpi thotë që ne do të marrim punëtorë nga Bangladeshi, nga Pakistani, etj. Jo për çështje racizmi, e as diskriminimi, por si mund të largosh ti njerëzit e tu, qytetarët e tu, fëmijët e tu dhe u thua edhe mos mësoni as shqipen, pra ky njeri ndien neveri edhe për gjuhën shqipe. Ky ndjen neveri për çdo gjë që është shqip.”
Kryemadhi tha se një nga pikat kryesore të programit të LSI-së është krijimi dhe angazhimi i figurave të reja në mënyrë që të rinjtë të punojnë në Shqipëri.
“Ndaj krijimi dhe angazhimi i figurave të reja, i njerëzve të rinj që kanë dëshirë të jetojnë, të punojnë në Shqipëri, në zhvillimin e këtij vendi, do të jetë një nga pikat tona kryesore dhe një nga pikat tona kryesore që e ka karakterizuar Lëvizjes Socialiste për Integrim si një parti, e cila u krijon hapësira të rinjve dhe të rejave, që u hap dyert atyre dhe zhvillohet dhe ecën gjithmonë, siç ka emrin, ashtu është edhe në lëvizje.”
25 prilli nuk ka të bëjë thjesht me vajtjen për të votuar për një parti politike apo me një flamur politik. 25 prilli ka të bëjë me pjesëmarrjen sa më të madhe të qytetarëve në zgjedhje.
Prandaj kryetarja e Lsi-së i bën thirrje të gjithë shqiptarëve që në 25 prill të votojnë për ndryshimin.