Mesfushori kosovar, Përparim Hetemaj po i afrohet një shifre të madhe. Deri në fund të këtij edicioni, Hetemaj pritet të arrijë në shifrën e 300 ndeshjeve në njërin prej kampionateve më të forta në botë, atë Serie A.
Ish-reprezentuesi i Finlandës të hënën mbrëma luajti ndeshjen e 294-t në kampionatin italian. Ai është në edicionin e dhjetë në këtë kampionat. Një edicion ka luajtur për Brescian në Serie A, tetë të tjerë për Chievon dhe tani po luan për Beneventon, me të cilën skuadër u promovua nga Serie B.
34-vjeçari startoi te Benevento që në shtëpi pësoi 1:0 nga Sassuolo. Ndeshja i takoi xhiros së 30-të. Benevento është e 16-ta me 30 pikë.
Për Hetemajn ishte ndeshja e 25-të këtë edicion. Deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe tetë xhiro.