Londra shprehu sot mbështetjen e saj për Republikën Çeke, që dëboi 18 diplomatë rusë, të akuzuar për spiunazh dhe po kërkon dy persona që korrepondojnë me të dyshuarit e përpjekjes së helmimit me Novitchok të ish-agjentit Sergueï Skripal në Britaninë e Madhe në 2018.
“Britania e Madhe mbështet plotësisht aleatët çekë, që kanë zbuluar se deri ku shërbimet sekrete ruse janë të gatshme të shkojnë për të kryer operacione të rrezikshme dhe keqbërëse në Europë”, deklaroi në një deklaratë ministri britanik i Punëve të Jashtme, Dominic Raab.
Republika Çeke njoftoi sot dëbimin e 18 punonjësve të ambasadës ruse që shërbimet sekrete i kanë identifikuar si agjentë të shërbimeve të spiunazhit të Moskës.
“Tetëmbëdhjetë punonjës të ambasadës ruse duhet të largohen nga Republika brenda 48 orëve”, deklaroi ministri, Jan Hamacek për gazetarët.
Kryeministri çek, Andrej Babis shpjegoi nga ana e tij se vendi kishte prova të pakundërshtueshme që përfshinin agjentët e GRU, shërbimit sekret ushtarak rus, në shpërthimin e një depoje municionesh që shkaktoi vdekjen e dy personave në vitin 2014.
“Ne kemi arsye të mendojmë se agjentët e njësisë 29 155 të GRU janë përfshirë në shpërthimin e një depoje municionesh në Vrbetice, në lindje të vendit”, theksoi kryeministri.
“Shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe ka vënë në rrezik jetët e shumë personave, por kryesisht ka shkaktuar vdekjen e dy bashkatdhetarëve tanë”, shtoi Babis.
Ne jemi të vendosur dhe të angazhuar më shumë se kurrë të çojmë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit të Salisbury dhe përshëndesim veprimet e autoriteteve çeke”, shtoi kreu i diplomacisë britanike duke nënvizuar se Rusia duhet të heqë dorë nga këto veprime që shkelin normat ndërkombëtare dhe më themelore.