Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i ka bërë thirrje ushtrisë së vendit të tij që të qëndrojë syçelë pavarësisht tërheqjes së trupave ruse nga zona kufitare, duke thënë se ato mund të kthehen në çdo moment.
“Fakti që trupat janë duke u tërhequr nuk nënkupton që ushtria nuk duhet të jetë e gatshme për gjasat që trupat të kthehen në kufijtë tanë për çdo moment”, tha Zelenskiy të martën gjatë vizitës së pozicioneve ushtarake afër Krimesë së aneksuar nga Rusia.
Në Moskë, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se tërheqja e trupave nuk ka të bëjë asgjë me trysninë nga Perëndimi, duke shtuar se Rusa do të vazhdojë që të bëjë atë që është e nevojshme për ta mbrojtur veten.
Sekretari për Shtyp i Pentagonit, John Kirby, tha këtë javë se Uashingtoni ka regjistruar disa lëvizje të disa trupave ruse duke u larguar nga kufijtë e Ukrainës, por shtoi se është shumë herët për të treguar nëse Rusia është duke i tërhequr të gjitha forcat.
Forcat qeveritare ukrainase dhe separatistët e përkrahur nga Rusia arritën një armëpushim në korrik të vitit të kaluar. Sidoqoftë, marrëveshja u shkel disa herë kohëve të fundit me shtimin e përleshjeve.
Rreth 30 ushtarë ukrainas janë vrarë vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, ndërsa gjatë tërë vitit të kaluar u vranë 50. Separatistët kanë raportuar për së paku 20 të vrarë.