Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut përmbylli sot shqyrtimin e kërkesës së 49 deputetëve për fillimin e procedurës së shkarkimit të Presidentit të Republikës, ku vendosi t’i propozojë Kuvendit ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës.
Meta ishte i ftuar sot në seancë dëgjimore por nuk u paraqit me argumentin se kishte axhendë me takime zyrtare.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja u shpreh se Presidenti i ka shkaktuar një dëm të madh Shqipërisë në raport me partnerët strategjikë që nuk mund të riparohen më nga Presidenti i Republikës, por i takon Kuvendit të Shqipërisë si autoritet kushtetues të rivendosë nderin e cënuar të Republikës nga kjo sjellje diskredituese në marrëdhëniet e politikës së jashtme.
“Presidenti i Republikës lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare nuk përpunon drejtimin e politikës së jashtme, ai thjesht pasqyron vullnetin e brendshëm shtetëror që drejtimet e politikës së jashtme të qeverisë që janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, thjesht i transmeton, bën përçuesin në marrëdhënie me botën e jashtme, me aleatët dhe partnerët tanë strategjik”, tha ai.
Po ashtu, Manja tha se të marra të gjitha së bashku, në tërësi në të gjithë veprimtarinë e Presidentit të Republikës nuk ka asgjë presidenciale, asgjë kushtetuese, veçse është një veprimtari dhe sjellje absurde që e zhvesh Presidentin nga kostumi presidencial dhe kjo është arsyeja që i ka bërë nismëtarët e kësaj kërkese të iniciojnë këtë procedurë shkarkimi.
“Ju ftoj që ne të votojmë këtë raport të komisionit të Ligjeve që t’i propozojmë Kuvendit të Shqipërisë miratimin e këtij raporti duke propozuar ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për t’i hetuar të gjitha këto shkelje të natyrës kushtetuese nëpërmjet një Komisioni Hetimor të Kuvendit të Shqipërisë. Dhe nëse ky komision hetimor konstaton shkelje të Kushtetute me pasoja për Republikën t’i propozojë Kuvendit dhe shkarkimin e presidentit”, tha Manja.
Me 14 vota pro dhe 1 kundër, Komisioni i Ligjeve miratoi vendimin që i propozon Kuvendit ngritjen e Komisionit Hetimor për hetimin e shkeljeve të presidenti Ilir Meta.