Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për ndërprerjen e dhunës dhe uljen e tensioneve në Jerusalem pas përleshjeve që ndodhën të premten mbrëma, me ç’rast u lënduan mbi 200 persona, shumica të rinj palestinezë.
“Bashkimi Evropian u bën thirrje autoriteteve që të veprojnë urgjentisht për t’i ulur tensionet e tanishme në Jerusalem. Aktet e nxitjes përret Malit të Tempullit/Haram al-Sharif duhet të shmangen dhe status-quoja duhet të respektohet”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, duke shtuar se dhuna është e papranueshme.
“BE-ja u bën thirrje liderëve politikë, fetarë dhe të komuniteteve që të shfaqin vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi dhe që të bëjnë çdo përpjekje për ta qetësuar situatën e paqëndrueshme”, thuhet më tej në deklaratë.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu u shprehën të shqetësuara për dhunën në qytetin e kontestuar. “ShBA-ja është jashtëzakonisht e shqetësuar për konfrontimet e vazhdueshme në Jerusalem, përfshirë Haram al-Sharifin / Malin e Tempullit, të cilat kanë rezultuar në shumë njerëz të lënduar”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, përmes një deklarate.
“Nuk ka arsyetim për dhunën, por kjo gjakderdhje është veçanërisht shqetësuese tani, duke ardhur në ditët e fundit të Ramazanit”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit, ku shtohet se Uashingtoni u bën thirrje zyrtarëve izraelitë dhe palestinezë që të veprojnë me vendosmëri për uljen e tensioneve dhe ndaljen e dhunës, shkruan Anadolu.