Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do të marrë pjesë sot në takimin e 10-të të procesit Brdo-Brijuni me pjesëmarrjen e presidentëve të shteteve të rajonit duke përfshirë presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilët janë nikoqirë të takimit.
Sipas një komunikate të Presidencës, temat që do të diskutohen në këtë samit në Brdo afër Kranjit janë: rëndësia e procesit Brdo-Brijuni në 10-vjetorin e tij, adresimi i pasojave të COVID-19, rimëkëmbja ekonomike dhe plani investiv i BE, zgjerimi i BE-së si prioritet gjeostrategjik, si dhe përmbyllja e projektit të Evropës së bashkuar me përfshirjen e shteteve te Ballkanit Perëndimor.
“Në këtë Samit, presidentja Osmani do t`i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces. Në margjina të takimit, Presidentja Osmani do ta zhvillojë takime bilaterale me presidentët e Kroacisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Osmani më 13 maj priti në takim në Prishtinë, homologun slloven, Borut Pahor në funksion të parapërgatitjes për takimin e Brdos.