Të paktën dy njerëz kanë vdekur dhe shumë janë lënduar pasi një strukturë e ulëseve u shemb në një sinagogë pjesërisht të ndërtuar në veri të Jerusalemit.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, policia tha se rreth 650 adhurues ultra-ortodoksë ishin në sinagogën në Givat Zeev, një vendbanim hebre në Bregun Perëndimor të okupuar, për të shënuar një festival.
Ndërkohë pamjet kanë treguar shembjen e ulëseve dhe njerëzit duke rënë njëri mbi tjetrin.
Një incidenti i tillë vjen pak javë pasi 45 njerëz vdiqën në një përplasje në një festival ultra-ortodoks në malin Meron në Izraelin verior.
Në incidentin e së dielës, raportet fillestare nga shërbimi i ambulancës Magen David Adom i Izraelit thanë se mjekët “ofruan kujdes për rreth 60 të plagosur, duke përfshirë rreth 10 në gjendje kritike dhe të rëndë”.
Një azhurnim i mëvonshëm tha se dy persona u konfirmuan të vdekur dhe rreth 100 u lënduan.
Dëshmitarët thanë se shembja ndodhi gjatë një ceremonie për të shënuar fillimin e festës hebraike të Shavuot.
Sinagoga u përshkrua si e ndërtuar pjesërisht. Policia dhe zyrtarët lokalë thanë se organizatorët ishin paralajmëruar se ndërtesa ishte e pasigurt dhe ngjarja kishte ndodhur pavarësisht nga mungesa e lejeve.