Ditën e djeshme ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se do të padisë në Gjykatën e Francës, Anthony Blinken Sekretar i Shtetit në SHBA. Kjo padi vjen pasi SHBA, e shpalli Berishën si person “Non Grata” me arsyet si i përfshirë në korrupsion dhe pengimin e demokracisë. Berisha ka zgjedhur që në këtë çështje dhe padi të përfaqësohet nga avokati francez Jean-Yves Le Borgne. Le Borgne është një avokat i njohur në mbrotjen e figurave të shquara politike si Jacques Chirac, apo Ben Ali.
Kush është Jean-Yves Le Borgne?
Jean-Yves Le Borgne nuk është një emër i panjohur. Ai është 71 vjeç, i diplomuar për filozofi, ka një karrierë të gjatë në fushën juridike dhe aktualisht është kryetar i Urdhrit të Avokatit në Francë. Jean-Yves le Borgne është një prej avokatëve më të njohur dhe më të shtrenjtë në Francë, me çmimin për një çështje që shkon edhe në qindra mijëra euro. Të dhënat e pasurisë së tij apo të ardhurat e kabinetit Le Borgne me adresë Bld. Saint Germain 116, 75006 Paris mbrohen nga ligji, por janë të njohura çështjet më të famshme të avokatit.
Gjatë karrierës së tij ka mbrojtur në gjykatat franceze shumë personalitete të larta politike si ish-kryetarin e Parisit Jean Tiberi, ish drejtorin e kabinetit të Jacques Chirac dhe biznesmenë të mëdhenj si ish bosin e Renault, sipërmarrësin Carlos Ghosn dhe reperin Joey Starr. Ben Ali, ish-diktatori i Tunizisë gjithashtu është mbrojtur nga Le Borgne.